Policia e Shtetit ka parandaluar dy ngjarje kriminale, një në Shkodër dhe një në Vlorë. Sipas njoftimit të Policisë, nga ndërhyrja e Policisë janë arrestuar gjashtë persona, dy prej të cilëve u kapën në flagrancë me pistoleta gati për qitje.

 

“Në Vlorë, ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve, në bazë të inteligjencës policore, parandaloi një ngjarje të mundshme kriminale kundër personit, e cila do të kryhej me disa armë zjarri. Policia vuri në pranga 6 shtetas me precedent të mëparshëm kriminal, 2 prej të cilëve u kapën në flagrancë në një lokal, me 2 pistoleta të gatshme për qitje”, njofton Policia.

 

“Në Shkodër, Policia vuri në pranga poseduesin e një arsenali lënde shpërthyese tritol, granata, kapsolla detonatorë..etj, i cili në momentin e ndërhyrjes nga Policia, u kap në flagrancë duke u kujdesur për 120 bimë narkotike që kishte kultivuar në afërsi të banesës së tij”, njoftojnë forcat e rendit.

 

“Gjatë 2 operacioneve, u sekuestruan në total: 1 armë zjarri automatik, 2 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, 31 kallëpe tritoli, 110 metër fitil zjarr përcjellës, 18 granata dore, 13 ndezës të unifikuar, 3 automjete, 2 600 euro dhe 8 celularë e dhjetra bimë kanabis të kultivuara”, përfundon njoftimi i policisë.