Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e mbajtur në Kuvendin e Kosovës ka thënë se Serbia duhet të ndëshkohet ndërkombëtarisht për sulmin e të dielës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

 

Ai ka theksuar se nëse Serbia nuk sanksionohet, atëherë ajo do ta përsërisë krimin.

 

“Të dielën përjetuam një sulm agresioni të bandave kriminale e terroriste të Serbisë ndaj shtetit tonë. Sulmi i orkestruar i bandave terroriste, vrau rreshterin Afrim Bunjaku dhe plagosi një polic tjetër. Ishte një ditë e rëndë për vendin tonë”, ka thënë Kurti.

 

“Terroristët ose janë vrarë, ose janë arrestuar ose janë në ndjekje pasi që ikën. Afrim Bunjaku është heroi më i ri i Kosovës. Ai u vra në pritë. Me tu zbardhur drita, u pa që çfarëdo bande kriminale dhe terroriste nuk kanë kurrfarë shansi ndaj Policisë së Kosovës”, ka shtuar ai.

 

Sipas Kurtit, Serbia duhet të sanksionohet sepse nëse nuk ndëshkohet, atëherë ajo do ta përsërisë krimin.

 

“Sulmuesin që po ikin duhet të dorëzohen në organet e Kosovës. Këto organizata duhet të shpallen terroriste edhe nga vendet partnere. Për këtë akt, Serbia duhet të sanksionohet e ndëshkohet ndërkombëtarisht, sepse nëse kalon e pandëshkuar, atëherë ajo do ta përsërisë krimin”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.