Zëdhënësja e Komisarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut, Ravina Shamdasani, tha se sulmet ndaj objekteve mjekësore mjekësore janë të ndaluara sipas ligjit ndërkombëtar humanitar, duke iu referuar sulmeve në Rripin e Gazës dhe kërkesës së Izraelit për evakuimin e një spitali.

 

Shamdasani bëri një deklaratë me shkrim për Anadolu në lidhje me kërkesën e forcave izraelite për evakuimin e spitalit Al-Awde.

 

“E drejta ndërkombëtare humanitare kërkon që palët në konflikt të zbatojnë parimin e monitorimit dhe kujdesit për të plagosurit dhe të sëmurët pa diskriminim, ndër përgjegjësitë e tjera. Në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare, sulmet ndaj objekteve mjekësore, personelit mjekësor, të plagosurve dhe të sëmurëve janë të ndaluara”, tha ajo.

 

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Tedros Adhanom Ghebreyesus, më herët i kërkoi Izraelit të ndryshojë vendimin për evakuimin e spitalit. Ai tha se evakuimi do të rrezikonte drejtpërdrejt jetën e pacientëve si dhe të punonjësve të kujdesit shëndetësor.

 

Në raportimet e mëparshme u tha se ushtria i kishte dhënë spitalit vetëm dy orë për të evakuuar dhe më pas edhe më shumë kohë, por urdhri i evakuimit mbetet në fuqi.

 

Të premten, ushtria izraelite paralajmëroi 1,1 milion banorë në veri të Gazës që të evakuohen “brenda 24 orëve” në gjysmën jugore të rripit.

 

OKB-ja ka paralajmëruar se do të ishte e pamundur që palestinezët në Gaza t’i binden urdhrit pa “pasoja shkatërruese humanitare”.

 

Një javë më parë, forcat izraelite nisën një fushatë të fuqishme ushtarake kundër Rripit të Gazës në përgjigje të një ofensive ushtarake të grupit palestinez Hamas në territoret izraelite.

 

Konflikti filloi të shtunën e kaluar kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm me shumë drejtime, duke përfshirë një breshëri raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.

 

Hamasi tha se operacioni ishte në hakmarrje për bastisjet ndaj Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

 

Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.

 

Përgjigjja e Izraelite është shtrirë deri në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nën një rrethim paralizues që nga viti 2007./AA