Projekti “Fuqizimi Ekonomik i Grave dhe perspektiva gjinore në zinxhirin e vlerave të biznesit” trajton çështje të barazisë gjinore dhe fuqizimit ekonomik të grave në mes të pasojave dhe sfidave të pandemisë COVID-19 dhe ndryshimeve klimatike. Ky projekt mbështetet nga Gender Equity and Equality Action (GEEA) i Departamentit të Shtetit. Projekti është implementuar nga Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim, në territorin e Bashkisë Tiranë.

Projekti synon të fuqizojë gratë sipërmarrëse për të marrë role më aktive në zhvillimin ekonomik të vendit. Aktualisht janë zhvilluar analiza të përqëndruara tek artizanati, agroturizmi, tekstilet dhe prodhimi i vajit të ullirit.

Siç u shpreh për ATSH-në, koordinatorja e projektit, Besjana Hysa, ajo çka është vënë re, është fakti se bizneset e drejtuara nga gratë, pësojnë një fazë më të gjatë stanjacioni. Për këtë arsye, projekti synon të reduktojë pasiguritë me të cilat gratë përballen përmes një analize gjinore të zinxhirit të vlerave të biznesit.

Gratë pjesëmarrëse në këtë panair rrëfyen se si kanë nisur gjithcka nga e para, duke arritur ta kthejnë pasionin e talentin e tyre, në një biznes fitimprurës, madje edhe duke punësuar persona të tjerë. Sfida tashmë mbetet tregu, por disa prej tyre duket se po ia dalin mbanë më së miri, kjo falë edhe trajnimeve të përfituara nga Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim./ata