Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, një prej investimeve strategjike për turizmin dhe ekonominë shqiptare, po jetësohet në terren për t’u shndërruar në aeroportin kryesor të vendit, i cili do të funksionojë me mbi 3 modele biznesi: aviacion civil, mirëmbajtje e avionëve, një kargo e mirëfilltë, e cila i mungon shtetit shqiptar.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga ndërtimi i infrastrukturës mbështetëse të këtij aeroporti.

Rama bëri të ditur se në rrugën e Aeroportit të Vlorës ka nisur puna për ndërtimin e shtresave asfaltike nga nyja hyrëse e Aeroportit në drejtim të autostradës.

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës (VIA) do të jetë porta e hyrjes në jugun e Shqipërisë dhe porta e zhvillimit të turizmit. Ai parashikohet të rrisë lidhjet ajrore të Shqipërisë nëpërmjet heqjes së monopolit të TIA-s. Në këtë mënyrë, konkurrenca midis VIA dhe TIA do të ulë çmimet e fluturimeve, çka do të sjellë edhe rritjen e numrit total të pasagjerëve.

Ky aeroport do të kontribuojë në rritjen e përgjithshme ekonomike të vendit dhe do të transformojë Jugun e Shqipërisë në një hotspot turistik, të aftë për të tërhequr investime të huaja direkte në sajë të një aeroporti të vendosur më pak se 1 orë larg atraksioneve turistike dhe urbane.

Me veprimtarinë e aeroportit të Vlorës, vendi do të përfitojë nga linjat me kosto të ulët që do të hyjnë në treg, si dhe do të nxisë investitorët për të zhvilluar aeroportin dhe infrastrukturën e turizmit në zonë./ata