Gjatë muajit nëntor emigrantët kanë dërguar në Kosovë 101.3 milionë euro remitanca. Kurse, për 11 muaj dërgesat financiare të diasporës kanë shkuar në 1 miliard e 217.8 milionë euro.
Mbi 1.2 miliardë euro ka sjellë diaspora në Kosovë nga 1 janari deri në nëntor të vitit 2023, apo rreth 10.2 për qind më shumë se periudha e njëjtë e vitit të shkuar, sipas të dhënave të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës.
Sipas raportit, prurjet më të mëdha të remitancave ishin nga institucionet financiare jo-bankare me pjesëmarrje prej 65 për qind, pasuar nga kanalet tjera me 19 për qind dhe bankat me 16 për qind.
Për sa i përket aseteve të kompanive të sigurimit, BQK-ja ka treguar se deri në këtë muaj vlera e tyre ishte 300.6 milionë eurove dhe është rritje prej rreth 200 mijë euro krahasuar në tetor 2023.
Ndërsa, asetet e fondeve pensionale kanë arritur vlerën e 2.65 miliardë euro, duke shënuar rritje për 54.3 milionë euro.
Në fund, BQK-ja tregon se asetet e ndërmjetësve tjerë financiarë në fund të muajit nëntor janë rritur për 2.8 milionë euro, krahasuar me muajin paraprak duke arritur vlerën e 499.4 milionë eurove.
- Mbi 1.2 miliard euro, vlera e dërgesave nga mërgata
- 300.6 milionë euro, asetet e kompanive të sigurimit
- 2.65 miliardë euro, asetet e fondeve pensionale
- 499.4 milionë euro, asetet e ndërmjetësuesve të tjerë financiar.