Është arrestuar në fshatin Bube të Zubin Potokut, në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, një person i dyshuar për përfshirje në "sulm ndaj personit zyrtar" dhe "kontrabanda e mallrave".

Siç njofton Policia e Kosovës, fillimisht, zyrtarët policorë nga Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Policisë Kufitare kanë vërejtur në orën 6:15 minuta të mëngjesit lëvizje të dyshimta të disa automjeteve në Bube të Zveçanit, ndërsa në përpjekje për t’i ndaluar dhe kontrolluar automjetet e dyshuara, policia ka hasur në rezistencë të armatosur nga persona të dyshuar.

“Të ndodhur në një situatë të tillë, për të mbrojtur vetën dhe vënë situatën nën kontroll, zyrtarët policorë i janë kundërpërgjigjur sulmit po ashtu me armë dhe kanë arritur ta arrestojnë njërin nga të dyshuarit: D.I., (viti i lindjes 1981, mashkull serb kosovar nga Z.Potoku). Gjatë shkëmbimit të zjarrit, zyrtarët policorë dhe i arrestuari nuk kanë pësuar lëndime”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia njofton se gjatë kontrollit të kamionit, janë gjetur të ngarkuara 40 copë dele, pa dokumentacion përcjellës e që dyshohet se janë kontrabanduar nga Serbia për në Republikën e Kosovës. Po ashtu aty janë hasur edhe dy automjete të braktisura, dyshohet se kanë qenë në përcjellje të kamionit.

“Kamioni me dele është dërguar në terminalin doganor, dy veturat e hasura në vend-ngjarje janë konfiskuar, kurse më aktvendim nga prokurori, i dyshuari dërgohet në mbajtje deri në 48 orë”, njoftoi Policia.

Në vendin e ngjarjes, Policia bëri të ditur se kanë dalë njësitet përkatëse policore, përfshirë Inspektoratin Policor, dhe për rastin është njoftuar prokurori./aa