Nata e ndërrimit të viteve dhe ditët e para të muajit janar, janë shoqëruar me fluks të lartë pacientesh në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Lezhës.
Sipas të dhënave mbi 100 persona në 24 orë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, kryesisht me probleme nga konsumi i ushqimeve dhe virozave të cilat po qarkullojnë në këtë periudhe, por nuk kanë munguar as rastet e traumave të ndryshme të shkaktuar nga aksidentet rrugore të ndodhura gjatë datave 1 dhe 2 janar.
Mjekja e Urgjencës Evisa Biba thotë se pjesa më e madhe e rasteve janë përballuar me sukses në Lezhë, por nuk kanë munguar as pacientet të cilët janë dërguar për ndihmë më të specializuar mjekësore në Tiranë.
Gjatë kohës së festimeve të ndërrimit të viteve, fatmirësisht në Lezhë nuk ka patur persona të dëmtuar përdorimi i lëndëve piroteknike, ndërsa fluksi i shtuar i pacienteve që kërkojnë ndihmë mjekësore pritet të jetë i lartë përgjatë gjithë muajit janar.