Vendet e Lindjes së Mesme duhet të përdorin ndikimin e tyre mbi aktorët rajonalë për të siguruar që konflikti në Gaza të frenohet dhe të parandalojnë një cikël të pafund dhune, tha të shtunën Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Blinken e tha këtë pas një takimi me liderët e Turqisë dhe Greqisë në fillim të një udhëtimi njëjavor me qëllim qetësimin e tensioneve rajonale për luftën Izrael-Hamas.

“Është në interes të pothuajse të gjitha vendeve në Lindjen e Mesme që të frenojnë luftimet,” u tha Blinken gazetarëve dhe kjo në kohën kur perceptimi botëror është qe lufta ka nxitje amerikane, duke qenë se Izraeli ka mbështetje të hapur e të plotë amerikane për sulmet në Gaza.

“Ne duam të sigurohemi që vendet që ndihen kështu të përdorin gjithashtu lidhjet e tyre, të përdorin ndikimin e tyre, të përdorin marrëdhëniet e tyre me disa nga aktorët që mund të përfshihen për të mbajtur gjërat nën kontroll, për t’u siguruar që nuk ka përshkallëzim të konfliktit”, tha ai përpara se të fluturonte për në Jordani.

Blinken tha se është shumë e rëndësishme që Izraeli të ketë siguri në veri të vendit, duke bërë avokatinë e shtetit hebre, me mesazhin e nënkuptuar se ky shtet është paqedashës.

“Nga këndvështrimi i Izraelit, është e qartë se ata nuk janë të interesuar, nuk duan përshkallëzim… por gjithashtu duhet të jenë plotësisht të përgatitur për të mbrojtur veten,” tha Blinken.

Blinken, i cili do të vizitojë gjithashtu shtetet arabe, Izraelin dhe Bregun Perëndimor të pushtuar, tha se nëse përpjekjet për të zgjidhur krizën dështojnë, rezultati do të jetë “një cikël i pafund dhune, jetësh të pasigurta dhe konflikti për njerëzit e rajonit”.

 Ai tha gjithashtu se do të shqyrtojë se çfarë mund të bëhet për të maksimizuar mbrojtjen e civilëve në Gaza dhe për të rritur shpërndarjen e ndihmave humanitare.

Shumë palestinezë janë vrarë, veçanërisht fëmijë,” tha Blinken.

Blinken u takua më parë me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, një kritik i fortë i operacionit ushtarak të Izraelit në Gaza.

Blinken tha se Turqia është gati të përdorë marrëdhëniet me lojtarët kryesorë rajonalë për të de-përshkallëzuar konfliktin.

Para kësaj, Blinken dhe ministri i Jashtëm Hakan Fidan diskutuan luftën dhe krizën humanitare në Gaza dhe ratifikimin e Turqisë të anëtarësimit të Suedisë në NATO, tha Ministria e Jashtme turke.

Zyrtarët amerikanë janë të frustruar nga procesi i gjatë, por të bindur se Ankaraja së shpejti do të miratojë pranimin e Suedisë në NATO pasi vendi fitoi mbështetjen nga një komitet parlamentar turk në dhjetor, tha një zyrtar i lartë i paidentifikuar i Departamentit të Shtetit, i cili udhëtoi me Blinken.

Ligjvënësit amerikanë kanë vonuar shitjen e avionëve luftarakë F-16 në Turqi derisa ajo të ratifikojë anëtarësimin e Suedisë në NATO.

Vizita e Blinken në Greqi

Pas takimit me Erdoganin, Blinken u takua në Kretë me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis.

Greqia, anëtare e NATO-s, është në pritje të miratimit nga Kongresi Amerikan për shitjen e avionëve luftarakë F-35.

Blinken theksoi rëndësinë e aleancës së fortë të Greqisë me Uashingtonin, ndërsa Mitsotakis tha se të dy vendet mund të punojnë së bashku për të ndihmuar në ruajtjen e sigurisë në rajonin e trazuar.

Uashingtoni dëshiron që vendet në rajon, përfshirë Turqinë, të luajnë një rol në rindërtimin, qeverisjen dhe sigurinë e Rripit të Gazës, i cili drejtohet nga Hamasi që nga viti 2007, tha një zyrtar amerikan. /tesheshi.com/