Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, një zonë e mbrojtur që shtrihet si një hark i gjelbër anës detit Adriatik, këtë të shtunë ndodhej nën “pushimin” e flamingove, zogjtë me qafën e hollë dhe të harkuar dhe me këmbët e hijshme.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje të flamingove mbi Karavasta, që gjithnjë e më shumë prej kur ky park u shpall zonë e mbrojtur, po tërheqin vizitorë të shumtë.

“Fluturimi i flamingove mbi lagunën e Karavastasë, bukuria e zonave tona të mbrojtura”, shkruan Rama.

Laguna e Karavastasë radhitet në lagunat me rëndësi të madhe si zonë e rëndësishme për llojet shtegtare dhe si habitat i mbi 20,000 shpendëve dimërues. Gjatë verës, laguna frekuentohet dhe nga shpendë të tjerë. Ndaj është rradhitur në zonat IBA (Important bird Area), ose ligatina Ramsar, me rëndësi ndërkombëtare për shpendët. Laguna është e njohur për koloninë e madhe të pelikanit kaçurrel, e vetmja pikë folenizimi bregdetar të Shqipërisë.

Ndalimi i gjuetisë për një periudhë të caktuar ka sjellë shtimin e dukshëm të kolonisë së pelikanëve, madje edhe të flamingove, të cilat ishin tepër të rralla. Në zonën e parkut mbarështohet Buallica (Bubalus bubalis) një lloj i mbrojtur në Shqipëri./ata