Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu i bëri apel sot nënave të ardhshme të vaksinohen kundër gripit të stinës.

Në një postim në rrjetet sociale, Koçiu ndau shembullin e Denisës, e cila në muajin e katërt të shtatzënisë ka bërë vaksinën ndaj gripit për të ruajtur veten dhe bebin e saj nga format e rënda të gripit.

Koçiu i bëri apel nënave të ardhshme të mos humbasin kohë dhe të konsultohen me mjekun e familjes.

“Kam bërë vaksinën e gripit kur isha në muajin e 4 të shtatzënisë. I ftoj të gjitha vajzat e gratë të vaksinohen që të kenë një shëndet sa më të mirë”, tha Denisa.

Ndërkohë mjekët rekomandojnë kryerjen e vaksinës jo vetëm për gratë shtatzëna, por edhe për grupet e riskuara, pasi sipas tyre vaksina rrit nivelin e antitrupave.

Rreth 76% e grupeve të riskuara janë vaksinuar deri tani dhe paralelisht po kryhen vaksinime edhe në familje për individët që e kanë të pamundur paraqitjen në qendrat shëndetësore.

Në muajin tetor të 2023 u shpërndanë 260 mijë doza vaksine kundër gripit në gjithë Shqipërinë./ata