Dhjetra rabinë organizuan një protestë paqësore në sallën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke kërkuar një fund të menjëhershëm dhe të përhershëm të luftës së Izraelit në Rripin e Gazës, si dhe duke i kërkuar administratës së presidentit amerikan Joe Biden të mos përdorë veton në Këshillin e Sigurimit për të penguar lëvizjet që synojnë ndalimin e gjakderdhjes.

Protestat u organizuan nga grupe hebreje amerikane, duke përfshirë Zërin Hebre për Paqe, Hebrenjtë për Drejtësinë Raciale dhe Ekonomike.

Ata mbajtën pankarta kundër luftës në Gaza dhe duke brohoritur parulla që bënin thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm.

Në një transmetim të drejtpërdrejtë nga organizata Rabinët për Armëpushimin – në platformën YouTube – dhjetëra rabinë u shfaqën duke brohoritur në sallën e Këshillit të Sigurimit në mbështetje të armëpushimit, duke mbajtur pankarta që shkruanin: “Biden … mos vendosni veton për paqen” dhe “Biden… bota po kërkon: Ndaloni të qëlloni.”

Një nga pjesëmarrëset e protestës tha në fjalën e saj: “Ne jemi këtu për të mbështetur Kombet e Bashkuara në avokimin për një armëpushim të përhershëm në Gaza dhe për të kërkuar që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të marrin menjëherë masa për të mbrojtur jetët e njerëzve të pafajshëm. Ne jemi këtu sepse Kombet e Bashkuara janë vendi i duhur për të ndërmarrë veprime reale për të ndalur luftën dhe për të ndjekur penalisht Izraelin për krimet që ka kryer gjatë luftës”.

Kjo protestë në Dhomën e Këshillit u zhvillua gjatë një seance plenare të mbajtur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për të diskutuar përdorimin e vetos së SHBA në Këshillin e Sigurimit më 22 dhjetor 2023, mbi një amendament të propozuar nga Rusia për një projekt-rezolutë që u paraqit nga Emiratet e Bashkuara Arabe në lidhje me situatën në Gaza.

Amendamenti rus bën thirrje për shtimin e kërkesës për armëpushim në projekt-rezolutën, e cila u miratua me numrin 2720 me miratimin e 13 nga 15 anëtarët e Këshillit.

Më shumë se tre të katërtat – 193 anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara – dhjetorin e kaluar mbështetën veprimet që bënin thirrje për një armëpushim të menjëhershëm për arsye humanitare. /tesheshi.com/