Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u bëri thirrje vendeve që mbrojnë anijet e tyre nga sulmet e rebelëve Huthi në Detin e Kuq që të respektojnë ligjin ndërkombëtar pas sulmeve ndaj grupit jemenas.
“Sekretari i Përgjithshëm u bën thirrje të gjitha shteteve anëtare që mbrojnë anijet e tyre nga sulmet, që ta bëjnë këtë në përputhje me ligjin ndërkombëtar, siç përcaktohet në Rezolutën 2722,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Guterresit, Stephane Dujarric.
“Sekretari i Përgjithshëm më tej u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira që të mos përshkallëzojnë edhe më shumë situatën në interes të paqes dhe stabilitetit në Detin e Kuq dhe në rajon më gjerë”, shtoi ai.
Komentet e tij erdhën një ditë pasi SHBA dhe Britania e Madhe, me mbështetjen e Australisë, Bahreinit, Kanadasë dhe Holandës, kryen sulme kundër objektivave ushtarake në zonat e kontrolluara nga rebelët Huthi në Jemen.
Guterres vuri në dukje se Rezoluta 2722 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që dënon dhe kërkon ndalimin e menjëhershëm të sulmeve nga Huthit mbi anijet në Detin e Kuq, "duhet respektuar plotësisht", tha Dujarric, duke shtuar se sulmet kundër anijeve ndërkombëtare në zonën e Detit të Kuq "nuk janë të pranueshme."
"Sekretari i Përgjithshëm thekson nevojën për të shmangur aktet që mund të përkeqësojnë më tej situatën në vetë Jemen. Ai bën thirrje që të bëhen çdo përpjekje për të siguruar që Jemeni ndjek një rrugë drejt paqes dhe se puna e ndërmarrë deri tani për t'i dhënë fund konfliktit në Jemen nuk duhet humbur”, theksoi ai./aa