Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani nisi sot nga Kosova turin 3-ditor rajonal: Kosovë- Maqedoni i Veriut – Mal i Zi.
Në nisje të këtij turi 3-ditor, Hasani u prit nga homologia e Kosovës, Donika Gërvalla – Schwarz.
“Jam i lumtur që kjo vizitë vjen në një moment kaq të rëndësishëm e pozitiv për Kosovën e cila ka marrë tashmë, më në fund, liberalizimin e vizave, duke zgjeruar mundësitë dhe të drejtat e qytetarëve te saj. Ky është një vendim pozitiv jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për vetë Bashkimin Europian, një nxitje më tej në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt BE-së”, u shpreh Hasani në nisje të fjalës së tij gjatë konferencës me homologen Gërvalla.
Vizita, sipas tij, është pjesë e një turi në disa vende të rajonit.
“Pas Kosovës, do të vizitoj edhe Maqedoninë e Veriut e më tej Malin e Zi. Është një tur që ka për qëllim ndarjen e ideve e mendimeve mbi punën që duhet të bëjmë të gjithë së bashku për të mirën e rajonit e për të mirën e qytetarëve tanë, për të avancuar bashkëpunimin dhe projektet e shumta mes nesh, por edhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në hapësirën euroatlantike”, u shpreh Hasani.
Ministri i Jashtëm theksoi se rajoni është duke kaluar sot një moment delikat. “Jemi të gjithë dëshmitarë të faktit që pavarësisht progresit që është bërë, siguria dhe stabiliteti janë më të kërcënuara sesa në çdo moment tjetër gjatë dekadës së fundit”, theksoi ai.
“Ne, kemi dënuar ashpër sulmin e dhunshëm të orkestruar e të armatosur kundër policisë së Republikës së Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar në veri të vendit. Ky sulm është një akt kriminal dhe i rrezikshëm terrorist kundër stabilitetit, integritetit, pavarësisë, ligjit dhe rendit të Kosovës. Sulmi ishte një kërcënim i rëndë për sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit tonë, me pasoja të drejtpërdrejta për Evropën tonë të përbashkët”, vijoi ai.
Hasani vuri në dukje se autorët, organizatorët dhe nxitësit e këtij akti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë së shpejti.
“Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës, me pasoja ndoshta të pakthyeshme.
Prandaj tani më shumë se kurrë është e nevojshme që të gjithë ato vende e ato forca që besojnë tek paqja e stabiliteti, tek bashkëpunimi e integrimi euroatlantik, të punojnë së bashku për të ardhmen e rajonit tonë dhe të mirën e qytetarëve tanë”, u shpreh ministri Hasani.
“Shqiptarët duhet të luajnë një rol të dorës së parë në këtë përpjekje për të ardhmen tonë të përbashkët. E padyshim, Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë në zemër të kësaj përpjekje si dy vende e një popull, që më shumë se kushdo tjetër, e mbështesin perspektivën euroatlantike të Ballkanit Perëndimor”, theksoi Hasani./ata