Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani tha sot gjatë konferencës për shtyp në Prishtinë se me homologen Garvalla diskutuan konkretisht e në mënyrë shumë konstruktive për këto ide dhe për mënyrën sesi duhet ta çohet përpara agjenda e përbashkët duke filluar me bashkërendimin e punës së dy ministrive.

Temat që renditi Hasani janë për: Përditësimin e strategjisë për rivitalizimin e procesit të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës; Anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale e ndërkombëtare dhe integrimin e saj në NATO ku Shqipëria është dhe do të vazhdojë të jetë një mbështetëse e fuqishme e politikës së dyerve të hapura. Anëtarësimi i Kosovës në NATO është një nga prioritetet e kryesisë shqiptare të Kartës SHBA-Adriatike përgjatë vitit 2024.

“Për sa i përket integrimit në Bashkimin Europian, kjo është një nga pikat kryesor që Shqipëria ngre në çdo takim e ndërveprim me partnerët tanë europianë, që integrimi i plotë i rajonit në BE është një dosmosdoshmëri dhe mënyra e vetme për të garantuar njëherë e mirë paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor e rrjedhimisht të vetë Europës”, u shpreh ministri Hasani./ata