Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, u shpreh sot se vjen në këtë detyrë pas një eksperience në DPSHTRR që i shërben mbi 1 milion qytetarëve.
Gjatë një interviste televizive, Gonxhja tregoi për punën e kryer në DPSHTRR, reformat e ndërmarra e që brenda një kohe të shpejtë rriti shërbimet cilësore për qytetarët por edhe pagat për punonjësit. Ai tha se u lehtësuan shërbimit për qytetarët duke iu kursyer kohë dhe para atyre.
“Suksesi që shënuam, vijoi ai, mendoj se qëndron tek puna për përballimin e sfidave, ndërtimin e ekipit dhe mbështetja që na dhanë institucionet e linjës dhe kryeministri Edi Rama për të krijuar një model në sektorin e automotorizmit. Në 4 vite nuk rritëm tarifat dhe i dhamë qytetarëve një shërbim cilësor”, tha Gonxhja.
Gonxhja solli në vëmendje njohjen me Edi Ramën në Akademinë e Arteve dhe kohën e ringritjes së studentëve kundër regjimit në vitin 1990, kohë që siç tha ai, “ishte me rreziqe të mëdha për jetën nga regjimi diktatorial”.
Gonxhja tha se, sot duhet të fitojmë kohën e humbur në këto 34 vite tranzicion.
“Të fitojmë kohën e humbur dhe për këtë do të sprovoj edhe më shumë veten me këtë detyrë të re timen në postin e ministrit, për ta kthyer vendin në kampion në çdo drejtim dhe sektor”, tha ai.
Ministri më i ri i kabinetit qeveritar Blendi Gonxhja foli dhe për vitin 2002, moment kur dha dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të bashkisë Tiranë.
Ai u shpreh se situata e përmbytjes në atë kohë në Tiranë (për shkak se u hap diga e Liqenit Artificial) krijoi njëfarë “tensioni” mes Fatos Nanos (asokohe kryeministër) dhe Edi Ramës që mbante detyrën e kreut të bashkisë më të rëndësishme në vend.
Për të shtensionuar situatën, Gonxhja shprehet se e pa të mirëqenë të hiqte dorë nga detyra si numri dy i bashkisë./ata