Një vajzë 23 vjeçare ka pësuar lëndime si pasojë e rënies së pullazit të objektit të Komunës së Prishtinës, në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, si pasojë e erës së fortë gjatë ditës.
Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin dhe ka thënë se ka nisur punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave.
Sipas Policisë, e lënduara menjëherë është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku edhe ka bllokuar rrugën për qarkullimin e automjeteve.
Klinika Emergjente ka thënë për mediat lokale se viktima është pranuar me lëndime në kokë dhe se është në gjendje jashtë rrezikut për jetën.
Përpos të lënduarës, përplasja e pullazit ka shkaktuar edhe dëme në disa automjete të parkuara afër objektit.
Për këtë rast, Prokuroria Speciale e Kosovës ka iniciuar hetime fillimisht në drejtim të veprës penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”./aa