Parku Arkeologjik Antigone në Gjirokastër njohu këto ditë ndërhyrje mirëmbajtjeje ndërsa sezoni i dimrit shfrytëzohet nga punonjësit e DRTK për sistemimin e sajtit arkeologjik.
Prej disa ditësh specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër po punojnë për ngritjen e mureve, sistemimin e mjediseve rreth monumenteve në Agora dhe bllokun e banesave.
Parku arkeologjik Antigone, Andrianopol, është një ndër pikat më të vizituara nga turistët gjatë udhëtimeve të tyre në luginën e Drinos.
Antigonea është një nga qytetet antike më të mëdha të territorit të Shqipërisë dhe vendbanimi më i rëndësishëm antik i Luginës së Drinosit.
Brenda mureve fortifikuese të shek. III, vendbanimi ka një sipërfaqe prej 45 ha, ndërsa territori i parkut arkeologjik është mbi 90 ha.
Emrin qyteti e ka marrë nga Antigona, gruaja e parë e mbretit Piro./ata