Shqipëria po kthehet në një destinacion të preferuar të turizmit shëndetësor, sidomos atij dentar. Fqinjët e Italisë janë klientët kryesorë. Por, zhvillimi i shpejtë mbart dhe rreziqe. Aktorët e tregut theksojnë se duhen kontrolle mbi sektorin, për cilësinë e ofrimit të shërbimeve, mbi çmimet e një sërë problematikash që shoqërojnë këtë proces, në mënyrë që ky bum të mos kthehet në bumerang. Skemat e dikurshme forex janë kthyer në agjenci të turizmit shëndetësor, që ofrojnë ndërlidhjen me mjekët/klinikat këtu dhe fenomeni po merr përmasa të frikshme.
Nuk përbën më habi për të gjithë ne që të ecim rrugëve të Tiranës dhe të ndeshim italianë, të vetëm apo në grupe. Shumëkush mund të mendojë se jehona e turizmit vijon ende në javët e para të dhjetorit. Por, arsyet lidhen ngushtësisht me …turizmin dentar.
Ditëve të fundit ekziston një diskutim, mbështetur edhe nga kronika italiane mbi cilësinë e shërbimeve në Shqipëri, në lidhje me ndërhyrjet e ndryshme estetike ose dentare, të cilat janë tërheqëse për shkak të çmimit të lirë.
Përtej këtij diskutimi, klinika të shumta në vend vazhdojnë të operojnë, në një treg të lirë, por të parregulluar me një ligj të posaçëm.
Bashkimi i ofertës turistike dhe kapacitetit të rritur të shërbimeve shëndetësore e ka shndërruar Shqipërinë vitet e fundit në një destinacion të pëlqyer, për ata që janë në kërkim të një përvoje të pazakontë të turizmit shëndetësor. Por jo vetëm për përvojën.
Çmimi duket se ka qenë arsyeja kryesore e ofertës tërheqëse të vendit tonë.
Aktualisht, ka investime në infrastrukturën e shëndetit që kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në vend. Partneritetet ndërkombëtare dhe certifikimet e arritura kanë bërë një ndryshim pozitiv në imazhin e turizmit shëndetësor shqiptar.
Bashkëpunimet me qendra prestigjioze shëndetësore dhe përfitimi i certifikimeve të njohura ndërkombëtare kanë krijuar një mjedis besimi për vizitorët.
Kjo ka ndihmuar në tërheqjen e një audience më të gjerë ndërkombëtare, duke e bërë Shqipërinë një destinacion të pëlqyer për ata që kërkojnë shërbime shëndetësore.
Ndërsa industria e turizmit shëndetësor po zhvillohet, është e rëndësishme të adresojmë sfidat dhe të shohim përpara. Ka gjithmonë edhe një anë tjetër të medaljes për t’u parë.
Siguria e shëndetit dhe ruajtja e mjedisit natyror janë sfida të cilat kërkojnë angazhim të përbashkët dhe strategji afatgjata. Por jo vetëm kaq.
Aktorët e tregut gjithashtu theksojnë se duhen kontrolle mbi sektorin, për cilësinë e ofrimit të shërbimeve, mbi çmimet e një sërë problematikash që shoqërojnë këtë proces, në mënyrë që ky bum të mos kthehet në bumerang.
Sipas tyre, sfida kryesore është siguria e shëndetit.
Një tjetër problematikë, sipas komunikimeve me disa aktorë tregu, është nevoja për trajnime të vazhdueshme për personelin shëndetësor.
Për të ruajtur cilësinë dhe standardet e larta të shërbimeve, personeli duhet të jetë i trajnuar dhe i përgatitur për të ofruar trajtime dhe këshilla të specializuara. Investimet në zhvillimin e kapaciteteve profesionale janë të domosdoshme për të siguruar një përvojë cilësore për vizitorët.
Një aspekt tjetër i problematikave të tregut është menaxhimi i turizmit në mënyrë të qëndrueshme. Një rritje e shpejtë e numrit të vizitorëve mund të ketë ndikime negative në mjedisin natyror, duke kërcënuar ekosistemet lokale dhe trashëgiminë kulturore.
Ekspertët, në këtë rast, deklarojnë se është e rëndësishme të hartohen politika dhe strategji që nxisin turizmin e qëndrueshëm, duke përfshirë praktika të orientuara nga eko-turizmi dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Konkurrenca me vende të tjera turistike dhe nevoja për të ruajtur një imazh pozitiv janë sfida të tjera që mund të ndikojnë në zhvillimin e turizmit shëndetësor në Shqipëri.
Për të përballuar këto sfida, një strategji e mirëpërcaktuar e marketingut dhe promovimit është e nevojshme, duke përfshirë përdorimin e mediave sociale dhe promovimin e përvojave unike të ofruara nga destinacioni.
“Nëse Shqipëria do të arrijë të mbajë një balancë të qëndrueshme midis zhvillimit të turizmit shëndetësor dhe mbrojtjes së mjedisit dhe kulturës, ka të gjitha mundësitë të bëhet një lider në këtë sektor në rajon.
Por rruga për të arritur atje, është e gjatë dhe nuk mund të bëhet vetëm nga një ose disa aktorë seriozë të tregut.
Përvoja e turizmit shëndetësor në Shqipëri mund të jetë një histori e suksesi, nëse do të ketë strukturim, mbështetje e mbikëqyrje të tregut nga autoritetet, duke ndikuar në rritjen e ekonomisë, zhvillimin e sektorit shëndetësor dhe promovimin e pasurisë kulturore dhe natyrore të vendit.
Në këtë rrugë, bashkëpunimi i vazhdueshëm me ekspertë ndërkombëtarë dhe implementimi i praktikave të qëndrueshme do të jenë kyç për suksesin e industrisë së turizmit shëndetësor në Shqipëri”, – deklaroi Gent Dulja, drejtuesi i një agjencie ndërmjetësimi, “Medical Tourism Albania”.
Rritja e tregut
Nga informacionet e marra në treg, bëhet e ditur se pas 2010-s, u vu re një bum kërkesash për shërbime të ndryshme mjekësore në vendin tonë, kryesisht nga italianët, ku kryesonte shërbimi dentar dhe më pas, ai estetik.
Në pesë vitet e fundit, Shqipëria u bë tërheqëse edhe për kurat e fertilitetit, që dukshëm ishin më ekonomike se sa në Europë, ndonëse Turqia, Serbia dhe Bullgaria, ishin zhvilluar më herët në këtë drejtim. Gjithashtu edhe kirurgjitë estetike ishin të kërkuara.
Kujtojmë, se në vitin 2016, fjalia më e kërkuar në Google nga shqiptarët ishte “Sa kushton një operacion i hundës”, gjetje e cila e bëri të njohur vendin e vogël ballkanik në studimin e autorëve amerikanë.
Dr. Panajot Papa, thotë për “Monitor” se nuk e bën vetëm çmimi shndërrimin e një vendi si pikë e rëndësishme e turizmit shëndetësor, por edhe afërsia kulturore, gjuha, të qenët një vend i sigurt për të udhëtuar dhe stafi mjekësor profesional dhe i besueshëm.
Të gjitha këto elemente janë përmirësuar vitet e fundit dhe kjo e vendosi Shqipërinë, sipas tij, në një hartë kryesisht rajonale, për shërbime mjekësore.
E teksa 2019-a pati “shpërthimin” më të madh të kërkesave të huaja për shërbime, tashmë të strukturuara, duke qenë se spitalet private, klinikat estetike, si dhe disa agjenci të ndërmjetësimit për turizëm mjekësor bënë përpjekje të vazhdueshme në këtë drejtim, 2020 përmbysi situatën.
Pandemia e COVID-19 tkurri në mënyrë të thellë ekonominë botërore dhe bëri që dy e treta e botës, gati 3 miliardë njerëz të izoloheshin në shtëpi për gati dy muaj. Por viti 2021 nisi të sillte rimëkëmbjen, e shoqëruar gjithashtu edhe nga rihapja dhe lulëzimi i turizmit.
Dritan Gremi, sipërmarrës, thotë se formula e tërheqjes për tregun e shërbimeve shëndetësore në vend nuk është e duhura. Sipas tij, nuk mundet që të tërheqim klientë të mirë vetëm duke “reklamuar” vendin si destinacion i lirë.
Çfarë parapëlqehet?
Oriela Cano, drejtoreshë e Marketingut dhe PR në Spitalin Amerikan dhe Hygeia, thotë për “Monitor” se, trajtimet më të zakonshme janë kirurgji kozmetike, kirurgji dentare dhe ortopedike. Ajo shton se, kërkesat për kirurgji kardiovaskulare, operacione laparoskopike dhe trajtime për fertilitetin dhe obezitetin janë në rritje.
Duke marrë në konsideratë situatën e pandemisë, znj. Cano shton se, turizmi shëndetësor pati rënie në të gjithë botën, jo vetëm në Shqipëri, por sipas saj, disa shërbime si turizëm dentar dhe estetik nuk kanë qenë shumë të kufizuara. Madje, edhe gjatë këtij viti, ka filluar të rritet ndjeshëm numri i vizitorëve për shërbimet që duan të marrin, sidomos ata afër rajonit.
Sa u përket klientëve, ajo shton se, përzgjedhja për shërbime shëndetësore, ka qenë jo vetëm nga pacientë me kombësi të huaj, të cilët jetojnë në Shqipëri, por edhe nga një numër i konsiderueshëm personash, që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe kanë zgjedhur dhe u janë drejtuar spitaleve të tyre për të marrë trajtim shëndetësor.
“Ndonëse ka një profil të ulët në kujdesin shëndetësor ndërkombëtar, Shqipëria është tërheqëse për turistët. Potenciali më i afërt i turizmit mjekësor janë fëmijët e emigrantëve, të cilët mbajnë kontaktet me vendin e tyre të origjinës dhe e vizitojnë shpesh, por jo vetëm, pasi pacientë të huaj kanë zgjedhur Spitalin Hygeia, për shkak të ekselencës së mjekëve dhe infrastrukturës spitalore” – thotë znj. Cano.
Ajo shton, se nga viti në vit, numri rritet, duke përmendur pacientët që vijnë për kirurgji plastike si për standardet, mjekët por edhe për çmimet. “Turizmi dentar, është shumë i zhvilluar, kemi pacientë nga shumë shtete të Europës që vijnë për shkak të çmimit, kohës së shkurtër dhe cilësisë së shërbimit.