Të afërmit e pengjeve që kanë ngritur tendë para shtëpisë së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, akuzuan qeverinë izraelite për dështim në garantimin e sigurisë për popullin dhe bënë thirrje për arritjen e një marrëveshjeje sa më parë për të shpëtuar pengjet.

Sipas deklaratës nga ushtria izraelite, në Rripin e Gazës ndodhen 136 pengje.

Të afërmit e këtyre pengjeve dhe një pjesë e rëndësishme e shoqërisë akuzojnë qeverinë izraelite se "neglizhon pengjet dhe se nuk bën asgjë për shpëtimin e tyre".

Familjet e pengjeve që mbërritën në orët e mbrëmjes dhe ngritën tendë para shtëpisë së Netanyahut në Kudsin Perëndimor, i bënë thirrje qeverisë që të arrijë sa më parë një marrëveshje me Hamasin për të shpëtuar të afërmit e tyre.

John Polin, i cili ka folur në protestën e emëruar nga të afërmit e pengjeve "Tashmë ka mbaruar koha" , tha se vajza e tij Hersh Goldberg mbahet në Rripin e Gazës prej 107 ditësh.

- "Sjellja e trupave të 136 pengjeve izraelite brenda çantave nuk mund të konsiderohet pjesë e asnjë fitoreje"

Duke fajësuar qeverinë nën udhëheqjen e Netanyahut, Polin tha se, "Paguajmë taksat, kryejmë shërbimin ushtarak të vendit tonë, dërgojmë fëmijët në shërbimin ushtarak. Presim që qeveria të na mbrojë në këmbim të këtij shërbimi dhe taksave që paguajmë. Kjo qeveri dhe ky kryeministër (Netanyahu) na ka zhgënjyer neve më 7 tetor. Tashmë 107 ditë më pas kërkojmë që të rregullohet ky zhgënjim dhe kjo mund të arrihet duke shpëtuar të gjitha pengjet".

Polin tha se "sjellja e trupave të 136 pengjeve izraelite brenda çantave nuk mund të konsiderohet pjesë e asnjë fitoreje".

"I bëjmë thirrje qeverisë që të përmbushë detyrën e saj duke bërë sa më parë një marrëveshje (me Hamasin) dhe të kthejë pengjet të gjallë në shtëpitë tyre. Qeveria nuk mundi të na mbrojë ne (më 7 tetor), të sjellë pengjet duke bërë marrëveshje", u shpreh Polin./aa