Zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim ministrin për Çështje Evropiane të Republikës së Çekisë, Martin Dvořák.

Në një konferencë për media pas takimit të mbajtur në Qeverinë e Kosovës, zv/kryeministri Bislimi tha se me ministrin çek kanë biseduar për masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian (BE) ndaj Kosovës.

Bislimi tha se masat e BE-së ndaj Kosovës duhet të hiqen dhe procesi i dialogut Kosovë-Serbi të ndahet nga procesi i integrimit të Kosovës në BE.

Zv/kryeministri kosovar tha se procesi i liberalizimit të vizave për kosovarët ishte prioritet gjatë presidencës Çeke në Këshillin e BE-së dhe për këtë falënderoi Çekinë.

“Kosova ka mbështetje prej 94 për qind nga qytetarët për integrim në Bashkimin Evropian dhe besojmë se Kosova e meriton të ketë një komisioner evropian dhe të ketë statusin e vendit kandidat për BE”, theksoi Bilslimi, duke shtuar se Kosova vlerëson lartë kontributin çek në progresin e Kosovës në proceset kyçe.

Dvořák, nga ana e tij, tha se është me rëndësi që BE-ja t’i heqë masat që ka vendosur ndaj Kosovës.

Ai tha se Çekia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës.

“Dëshiroj të them se procesi i përparimit të Kosovës drejtë BE-së është i lidhur ngushtë me dialogun e Kosovës me Serbinë”, theksoi Dvořák.

Ministri çek tha po ashtu se Kosova është nën presion për të treguar pikëpamje pozitive e konstruktive në dialog me Serbinë, si dhe shtoi se është “shumë i bindur se Kosova do të ketë sukses në rrugën e saj evropiane”./aa