Rusia akuzoi sërish Ukrainën për rrëzimin e avionit ushtarak rus, i cili ishte rrugës për shkëmbimin e robërve të luftës, duke e quajtur atë "akt monstruoz".
"Ukrainasit vranë qytetarët e tyre, të cilët supozohej të ishin në shtëpi brenda një dite, ky është një akt monstruoz", u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një konferencë për media në Moskë.
Ai ishte i pajtimit se nevojitet një hetim ndërkombëtar për të sqaruar se çfarë e shkaktoi rrëzimin e të mërkurës të aeroplanit ushtarak Il-76 në Belgorod, Rusi, afër kufirit të Ukrainës, në të cilin u vranë të gjithë 74 personat në bord.
I pyetur për perspektivat për shkëmbime të mëtejshme të robërve të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, ai tha: "Askush nuk e di se si do të ndikojë katastrofa".
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë akuzoi dje Ukrainën për rrëzimin e avionit që transportonte ushtarakë ukrainas të kapur për shkëmbim të të burgosurve.
Në bord kishte 65 ushtarakë të forcave të armatosura të Ukrainës të kapur, gjashtë anëtarë të ekuipazhit të avionit dhe tre shoqërues. Ekuipazhi dhe të gjithë pasagjerët në aeroplan humbën jetën, sipas autoriteteve ruse, duke e quajtur atë "një sulm terrorist" i kurdisur për të akuzuar Rusinë për vrasjen e ushtarakëve ukrainas.
Autoritetet ukrainase ishin "mirë të njoftuar për transportin e planifikuar" paraprakisht, theksoi ministria./aa