Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 8 maj të këtij viti.

Kovaçevski ka dhënë një deklaratë të shkurtër për media para hyrjes së Kuvendit, ku ka ardhur të dorëzojë dorëheqjen.

“Sot, siç thashë, do të bëj atë që e kërkon ligji, dorëheqja ime është firmosur dhe tani do ta dorëzoj në arkiv. Do të takohem me kryetarin e Kuvendit, do t’i uroj një procedurë të suksesshme deri të dielën dhe pastaj zgjedhje të suksesshme për kryeministër teknik të Qeverisë”, tha Kovaçevski.

Ai theksoi se ndjen nder dhe krenari për punën e tij në dy vitet e fundit, “në një periudhë të një krize të rëndë ekonomike dhe energjetike”.

Kovaçevski njoftoi se paraprakisht ka pasur një takim joformal me ministrat, të cilët i ka falënderuar për “punën e palodhur”.

Ai shprehu besimin se vendi “do të mbajë drejtimin e tij strategjik, që është orientimi perëndimor dhe partneriteti strategjik me SHBA-në”.

Dje, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, paralajmëroi dorëheqjen e tij dhe dorëheqjen e kryeministrit Kovaçevski.

Sipas marrëveshjes mes partnerëve qeveritarë LSDM dhe BDI, 100 ditët e fundit kryeministri duhet të jetë nga radhët e BDI-së. Kjo parti vendosi që mandatar i qeverisë teknike të propozohet pikërisht kryetari aktual i Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili për këtë arsye duhet të japë dorëheqje nga pozita aktuale.

Këto zhvillime burojnë nga “Marrëveshja e Përzhinos”, e arritur në qershor të vitit 2015 për zgjidhjen e krizës së atëhershme politike në vend. Sipas marrëveshjes, Qeveria e rregullt jep dorëheqje dhe 100 ditë para ditës së zgjedhjeve zgjidhet Qeveria teknike.

Dispozitat e Marrëveshjes së Përzhinos janë pjesë e Ligjit për Qeverinë, ku ndër të tjera janë paraparë disa pozita ministrore dhe zv/ministrore për opozitën.

Në dhjetor 2023, liderët politikë në Maqedoninë e Veriut ranë dakord për datat e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale është rënë dakord të mbahet më 24 prill 2024, ndërsa raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale së bashku me zgjedhjet parlamentare është rënë dakord të mbahet më 8 maj 2024.

Sipas paralajmërimeve, pritet që qeveria teknike të zgjidhet të dielën, më 28 janar./aa