Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka dorëzuar dorëheqjen e tij nga funksioni.
Siç bënë të ditur në një komunikatë për media zyra mediale e parlamentit, Xhaferi ka dorëzuar dorëheqjen në funksion në përputhje me Nenin 115 të Rregullores për punën e Kuvendit.
Në njoftim thuhet se kryeparlamentari i deritanishëm e ka autorizuar nënkryetarin Goran Misovski të kryesojë me seancën plenare të caktuar më 26 janar 2024.
Më herët, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dha dorëheqje nga posti i tij në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 8 maj të këtij viti.
Sipas marrëveshjes mes partnerëve qeveritarë LSDM dhe BDI, 100 ditët e fundit kryeministri duhet të jetë nga radhët e BDI-së. Kjo parti vendosi që mandatar i qeverisë teknike të propozohet pikërisht kryetari aktual i Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili për këtë arsye duhej të jepte dorëheqje nga pozita aktuale.
Këto zhvillime burojnë nga “Marrëveshja e Përzhinos”, e arritur në qershor të vitit 2015 për zgjidhjen e krizës së atëhershme politike në vend. Sipas marrëveshjes, Qeveria e rregullt jep dorëheqje dhe 100 ditë para ditës së zgjedhjeve zgjidhet qeveria teknike.
Dispozitat e Marrëveshjes së Përzhinos janë pjesë e Ligjit për Qeverinë, ku ndër të tjera janë paraparë disa pozita ministrore dhe zëvendësministrore për opozitën.
Në dhjetor 2023, liderët politikë në Maqedoninë e Veriut ranë dakord për datat e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.
Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale është rënë dakord të mbahet më 24 prill 2024, ndërsa raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale së bashku me zgjedhjet parlamentare është rënë dakord të mbahet më 8 maj 2024.
Sipas paralajmërimeve, pritet që qeveria teknike të zgjidhet të dielën, më 28 janar./aa