Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 65 vota pro nga gjithsej 120 ulëse sa ka votuar qeverinë teknike me kryeministër Talat Xhaferi.
Në sallën e kuvendit të pranishëm ishin 111 deputetë, prej të cilëve 65 votuan pro dhe tre kundër.
Xhaferi është kryeministri i parë në Maqedoninë e Veriut nga komuniteti etnik shqiptar.
Siç ishte paralajmëruar, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të parapara të mbahen më 8 maj të këtij viti, më 25 janar Dimitar Kovaçevski dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, e më pas Talat Xhaferi dha dorëheqje nga posti i kryetarit të Kuvendit.
Këto zhvillime burojnë nga "Marrëveshja e Përzhinos", e arritur në qershor 2015, për zgjidhjen e krizës së atëhershme politike në vend. Sipas marrëveshjes, qeveria e rregullt jep dorëheqje dhe 100 ditë para ditës së zgjedhjeve zgjidhet qeveria teknike.
Dispozitat e Marrëveshjes së Përzhinos janë pjesë e Ligjit për Qeverinë, ku ndër të tjera janë paraparë disa pozita ministrore dhe zëvendëssministrore për opozitën.
Në dhjetor 2023, liderët politikë në Maqedoninë e Veriut ranë dakord për datat e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.
Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale është rënë dakord të mbahet më 24 prill 2024, ndërsa raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale së bashku me zgjedhjet parlamentare është rënë dakord të mbahet më 8 maj 2024./aa