Mediat serbe shkruajnë se sot (5 Shkurt) serbët do bllokojnë rrugët për makinat me shoferë shqiptarë që duan të udhëtojnë drejt Serbisë.

Bllokimi i mjeteve do të nisë në mesditë e do të zgjasë për 3 orë, në shenjë kundërshtimi të “terrorit” që ata pretendojnë se qeveria e Kurtit po u bën serbëve.

Në bllokim thuhet se përfshihen të gjitha automjetet e drejtuara nga shqiptarët përmes Merdarit, drejt Kurshumlisë, Nishit, Beogradit dhe më tej drejt Suboticës.

“Terrori që po përjeton populli serb dhe pakicat e tjera është bërë i padurueshëm dhe është afër një konflikti me pasoja të paparashikueshme”, thuhet në njoftim.

Ata i kërkojnë presidentit Vuçiç, ministrit të Jashtëm Daçiç dhe qeveritarëve të tjerë të Serbisë që t’u dërgojnë një letër të gjitha organizatave ndërkombëtare, për të ndalur urgjentisht terrorin dhe arrestimin e serbëve të pafajshëm.