Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ministrin gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius, i cili u shoqërohej nga një delegacion të përbërë edhe nga deputet të Bundestagut gjerman.

Në njoftimin e Zyrës së kryeministrit thuhet se Kurti i shprehu ministrit gjerman falënderim për rolin e Gjermanisë në gati 25 vitet e fundit, derisa veçoi rolin e ushtarëve dhe oficerëve gjermanë në Kosovë në kuadër të KFOR-it.

Kurti shprehu vlerësimin e tij edhe për rolin që Gjermania ka luajtur në forcimin e unitetit evropian përball Rusisë pas agresionit të saj në Ukrainë, derisa e njoftoi atë me rezultatet e qeverisjes, prioritetet e sigurisë dhe mbrojtjes në buxhetin e vitit 2024, si dhe për zhvillimet e fundit në vend.

Ata po ashtu kanë folur edhe për forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.

Ministri gjerman, Pistorius, nga ana e tij, theksoi se Gjermania së bashku me partnerët e saj në NATO ka luajtur një rol të rëndësishëm në Kosovë në dekadat e fundit dhe se ajo është e interesuar që të vazhdojë të japë kontributin e saj në stabilitetin e rajonit, integritetin, sovranitetin dhe sigurinë e Kosovës.

Takimi ndërmjet kryeministrit Kurti dhe ministrit Pistorius u përcoll edhe me një takim tjetër me delegacione të zgjeruara, ku të pranishëm ishin edhe deputetë të Bundestagut gjerman dhe Kuvendit të Kosovës nga komisionet parlamentare për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes.

Pas këtyre takimeve, ministri Pistorius u prit gjithashtu edhe nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, me të cilën zhvilluan një takim bilateral./aa