Mbreti Charles pas një ndërhyrjeje kirurgjikale u diagnostikua me kancer. Nga mbarë bota atij i urojnë shërim të shpejtë. Por çfarë mund të ndodhë me fronin nëse shëndeti e pengon mbretin për ushtrimin e regjencës?
Në fakt qe një operacion rutinë i prostatit, gjë që ndodh shpesh tek meshkujt në moshë – prej nga edhe një mbret mund të preket. Ndaj mbreti Charles ka qenë krejt i hapur lidhur me sëmundjen e tij, madje ka bërë edhe fushata sensibilizimi për meshkujt, që nga një moshë e caktuar të tregojnë kujdes profilaktik ndaj këtij problemi. Charles është 75 vjeç.
Më 29 janar ai bashkë me mbretëreshën Camilla në krah të tij doli i kënaqur nga spitali, jo larg Buckingham Palace. Gjithçka dukej në rregull, derisa mjekët pas analizave të hollësishme pas operacionit konstatuan, që mbreti Charles është i sëmurë nga një “formë kanceri”. “Madhëria e tij ka nisur terapitë përkatëse, ndërsa me këshillën e mjekëve të tij nuk do të ndërmarrë takime zyrtare jashtë. Ai do të vazhdojë megjithatë të kujdeset për punët e shtetit dhe përpunimin e dokumentave zyrtare.” Kështu u komunikua të hënën në mbrëmje (5.2.2024) përmes një deklarate shtypi nga Pallati Buckingham.
Madje edhe Harry do të vijë
Sipas një njoftimi të BBC, Charles ia komunikoi personalisht rrethit të ngushtë familjar diagnozën. Madje edhe djali i vogël i tij Harry, duka i Sussex, do të mbërrijë së shpejti nga Kalifornia në Londër për t’u takuar me babain. Raportet e tyre kanë qenë të ftohta vitet e fundit, pasi Harry dhe gruaja e tij Meghan në janar 2020 u larguan nga Pallati Buckingham duke hequr dorë nga titulli mbretëror dhe privilegjet përkatëse.
Që Harry vjen në Londër, kjo lë hapësirë për spekulime, se sa e rënduar mund të jetë gjendja e mbretit në të vërtetë. Por mund të jetë edhe thjesht një vizitë kortezie e djalit tek i ati i diagnostikuar me kancer.
Charles dëshiron t’u kundërvihet hapur spekulimeve lidhur me gjendjen e tij. Kjo është shenjë, se Charles dëshiron ta ndryshojë dhe ta modernizojë monarkinë, shprehet historiania Sarah Gristëood për BBC: “Deri tani brishtësia e një monarku mbahej e mbyllur me kujdes brenda mureve të pallatit.” Nëna e Charles-it, mbretëresha Elizabeth, ishte mjaft e rezervuar me informacione lidhur me gjendjen e saj shëndetësore. Në këtë kontekst është diskutuar gjithmonë, se deri në çfarë mase publiku ka të drejtë të jetë i informuar për gjendjen e kreut të shtetit.
Urime për shërim të shpejtë nga e mbarë bota
Charles pasoi fronin pasi nëna e tij mbretëreshëQueen Elizabeth II. ndërroi jetë vjeshtën e vitit 2022. Teksa britanikët shqetësohen për Charles-in, kryeministri Rishi Sunak është besimplotë, që mbreti së shpejti do të gëzojë shëndet të plotë. E po ashtu edhe nga e gjithë botës mbretit i vijnë mesazhe inkurajuese duke i uruar atij shërim të shpejtë.
Si mund të veprohet më tej?
Vitin e kaluar mbreti Charles ka realizuar mbi 500 takime. Këtej e tutje ai duhet t’i kufizojë shumë aktivitetet – për ta zëvendësuar këtë boshllëk do të aktivizohen anëtarë të tjerë të familjes mbretërore. Bashkëshortja e Charles-it, mbretëresha Camilla do të vazhdojë programin, dhe princi William, pasuesi direkt i fronit, do të përfaqësojë babain e tij.
Në rastin më të keq, nëse Charles nuk mund të kthehet më dhe të mos e përballojë sëmundjen, pak pas fillimit të regjencës së tij përpara 17 muajsh është rregulluar, se si të veprohet më tej. Ashtu si edhe për mamanë e tij ka një protokoll të saktë, që parashikon hapat që duhen ndërmarrë në rast se mbreti nuk jeton më. Si në rastin e Queen Elizabeth (“London Bridge”) ky protokoll mban emrin e një ure: “Menai Bridge” – emërtuar sipas urës së parë të varur prej hekuri në botë në Anglesey, Uells. Eshtë e qartë, që ky emër lidhet metitullin, që mbante Charles deri në ngjitjen në fron: Prince of Wales.
Pritet, që “Operacioni Menai Bridge” të ketë shumë ngjashmëri me “Operacionin London Bridge”. Sapo protokolli të zbatohet, princi William bashkë me gruan tij Kate do të kurorëzoheshin.
Sidoqoftë tani për tani duket se Pallati Buckingham është shumë larg përmendjes së operacionit “Menai Bridge”. Deklaratat janë optimiste dhe populli britanik inkurajohet me frymë pozitive. Ndonëse ky vit nuk ka nisur fort mbarë për familjen mbretërore.
Sërish një “Annus horribilis”?
E gjitha nisi më 4 janar, teksa u bë e ditur, se vëllai i Charles-it, princi Andrew në valën e skandalit të aferave seksuale rreth Jeffrey Epstein ka ngacmuar seksualisht një tjetër grua. Pak më parë ai i shpëtoi një procesi me akuza për abuzim duke rënë në marrëveshje me paditësen – por tani bëhet e qartë, se kjo grua nuk paska qenë e vetmja, madje tani bëhet fjalë për “orgji me minorene”.
Më 17 janar pasuan lajmet për sëmundjen e mbretit nga prostati dhe njëkohësisht u njoftua, që princesha Kate iu nënshtrua një operacioni në mitër. Më 20 janar erdhi dhe lajmi i tjetër i keq për diagnostimin për herë të dytë brenda një viti me kancer të ish-kunatës së Charles-it, Sarah Ferguson.
Pavarësisht gjithë këtyre lajmeve të këqia, mbreti Charles me sa duket nuk do të dorëzohet. Ai sipas të dhënave nga pallati mbretëror „është optimist” dhe gëzohet, që sa më shpejt të mund të kthehet në shërbim të vendit të tij./DW