Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj bërë të ditur sot se qeveria ka miratuar vendimin që i hap rrugën zhvillimit të ekosistemit të startup-eve.

Në deklaratën për shtyp, pas mbledhjes së qeverisë, Ibrahimaj bëri të ditur se përmes fondeve do të mbështeten startup-et në tre faza të tyre. Thirrja e parë, theksoi ajo do të hapet me 16 shkurt dhe do të qëndrojë e hapur për 30 ditë

Ministrja u shpreh se parashikohet të mbështeten 50-80 projekte, ndërsa fondi në total për mbështetjen e startup-eve dhe lehtësuesve për vitin 2024 është 3 milionë euro.

Në fazën fillestare mbështetja shkon deri në 1.5 milion lekë maksimalisht dhe mund të aplikojë çdo individ që ka një ide.

Në fazën e dytë mbështeten subjekte që kanë 1 vit që operojnë në treg, pra që kanë dorëzuar 1 vit pasqyra financiare dhe kanë krijuar një prototip dhe nëpërmjet fondeve ata mund të zhvillojnë prototipin, i cili duhet të jetë i tregtueshëm. Në këtë fazë mbështetja financiare arrin maksimalisht 4.5 milionë lekë.

Faza e tretë përfshin ato subjekte që tashmë kanë një prototip të zhvilluar, që është i tregtueshëm, por ka ende nevojë për financim që të rritet apo ndërkombëtarizohet. Mbështetja financiare në këtë fazë shkon deri në 9 milionë lekë./ata