Ministri për Komunitete dhe Kthim i Kosovës, Nenad Rashiq ka mbajtur konferencë për media lidhur me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Pas takimit të djeshëm me kryeministrin Albin Kurti dhe takimit që ka zhvilluar në mëngjes me guvernatorin e BQK-së, Ahmet Ismaili, Rashiq, i cili vjen nga komuniteti serb, tha se janë dy mënyra se si mund të implementohet dhe të vihet në funksion Rregullorja e BQK-së e cila ndalon përdorimin e dinarit në Kosovë, teksa ka thënë se aktualisht Kosova është në një fazë të tranzicionit në këtë aspekt.
Sipas tij, mënyra e parë është që BQK-ja dhe Banka Qendrore e Serbisë të zhvillojnë transaksione në mes tyre, por, për shkak të rrethanave politike "kjo nuk do të ishte lehtë e zbatueshme".
Mënyra tjetër, sipas tij, është që vetë bankat, të cilat kanë përfaqësi në Kosovë dhe në Serbi, ta bëjnë direkt kthimin e dinarit në euro.
"Mendoj se kjo është mënyra e duhur se si duhet të veprohet nga ana teknike dhe juridike. Nuk dua të shkoj në të kaluarën pse ndodhi kjo, por duhet të ndërlidhem përsëri me të. Ne e kemi ditur se Banka Komerciale (Komercijalna Banka) e cila ka qenë e vetmja me licencë për operim, do të mbyllet këtë vit. Këtë e kam ditur qysh në vitin 2022. Në shtatorin e vitit të kaluar Banka Komerciale dhe bankat tjera e kanë marrë këtë informacion që do të mbyllen. Askush nga administrata e tyre nuk e ka parë të udhës që të aplikojë përsëri për marrjen e licencës për punë", tha Rashiq.
Ai tha se guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, ka përmendur se faza e tranzicionit mund të përfundojë në fund të shkurtit, por, sipas Rashiq, kjo do të ndodhë prapë se prapë "nëse ka gatishmëri nga pala tjetër".
Rashiq tha se informacionet që qarkullojnë ditët e fundit se institucionet që punojnë sipas sistemit serb në Kosovë, si shkollat dhe spitalet/ambulantat, do të mbyllen apo zhvendosen: janë të pasakta dhe se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
"Këtë e kam me vërtetim dhe premtim prej kryeministrit. Kjo do të thotë se ata mund të vazhdojnë lirisht të bëjnë punën e tyre, që është trajtimi i pacientëve të sëmurë dhe t’i mësojnë fëmijët tanë nëpër shkolla", theksoi Rashiq.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me mbylljen e institucioneve paralele të Serbisë në rrethin e Dragashit dhe atë të Pejës gjatë javëve të fundit, ministri Rashiq tha se kjo është një gjendje faktike.
Ai ka theksuar se Marrëveshja e Brukselit parasheh shfuqizimin e tyre, por edhe formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Rashiq theksoi se për këtë ai insiston gjatë gjithë kohës, sikurse edhe Qeveria e Kosovës, që të nënshkruhet marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të shmangur një situatë ku disa pika të marrëveshjes zbatohen, e disa të tjera jo.
Lidhur me çështjen e dinarit serb, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nëpërmjet një deklarate tha se mbështet plotësisht pavarësinë e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) si institucion dhe se rregullorja e saj e re e cila hyri në fuqi nga 1 shkurti 2024, nuk e targeton dinarin e Serbisë.
Ai nënvizoi se në këndvështrimin praktik, ky vendim nënkupton se pagesat e marra nga serbët e Kosovës janë ende të lejueshme, por do të deponohen në llogaritë e tyre me Euro dhe se posedimi privat i monedhave të huaja mbetet i lejueshëm./aa