Pengjet izraelite që u liruan nga Gaza kanë bërë paralajmërimin se "nuk do të mbesin më pengje për t'u shpëtuar", pas mesazhit që erdhi nga kryeministri Benjamin Netanyahu se do të vazhdojë sulmet përkundër armëpushimit dhe shkëmbimit reciprok të pengjeve të negociuara mes Izraelit dhe Hamasit.

Sipas lajmit të gazetës Haaretz, bëhet e ditur se 5 pengje izraelite të liruar mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp.

Adina Moshe, me sy të përlotur duke iu drejtuar Netahyahut tha se "Ju drejtohem ju i nderuar Netanyahu, çdo gjë është në dorën tuaj, jeni ju ai që do të mund ta bëjë këtë dhe kam frikë se nëse vazhdoni në këtë rrugë, nuk do të ketë më pengje për t'u shpëtuar".

"Nëse nuk i rikthejmë pengjet, kjo do ta njollosë Izraelin përgjithmonë"

Aloni Cunio një nga pengjet e liruara theksoi se rikthimi i pengjeve do të ketë një çmim të rëndë. "Por nëse nuk e bëjmë këtë (rikthimin e pengjeve), kjo do ta njollosë Izraelin përgjithmonë", deklaroi Cunio.

Ndërsa 16-vjeçarja Sahar Calderon, një nga pengjet e liruara tha se mund të bëjë gjithçka për babain e saj Ofer i cili mbahet peng në Gaza.

Duke vënë theksin se babai i saj ndodhet peng prej 124 ditësh, Calderon u shpreh: "Mund të jetoj dhe të marr frymë, por shpirti im është vrarë".

Burimet palestineze, njoftuan se Hamasi ka pranuar planin i cili parashikon shkëmbimin e pengjeve dhe armëpushimin në tre faza në Rripin e Gazës, ku secila fazë do të zgjasë 45 ditë.

Zyra e kryeministrit izraelit njoftoi se përgjigjja e Hamasit lidhur me shkëmbimin e pengjeve dhe armëpushimin e negociuar i është përcjellë Mossad-it përmes Katarit dhe se është vlerësuar në mënyrë gjithëpërfshirëse.

Netanyahu pas takimit të tij me sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, mbajti një konferencë për shtyp dhe lidhur me propozimin e Hamasit për armëpushim mbrojti idenë se pranimi i kërkesave të Hamasit që ofron armëpushim dhe shkëmbim të pengjeve në mënyrë reciproke, do të shkaktojë një masakër të re për Izraelin.

Gjithashtu Netanyahu, tha se i kanë dhënë urdhër ushtrisë për përgatitje për sulm ndaj qytetit Rafah në jug të Gazës.

Parashikohet se Hamasi mban 136 pengje izraelite./aa