Deputetë opozitarë nuk kanë marrë pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës ku në rend të ditës ishin disa marrëveshje ndërkombëtare ndër të cilat edhe votimi i projektligjit për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.
Në seancë kryeparlamentari Glauk Konjufca, tha se ishin të pranishëm vetëm 68 deputetë, ndërsa për të kaluar një marrëveshje ndërkombëtare duhen 2/3-tat apo 80 vota gjithsej nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës.
Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, në fjalimin e saj në Kuvend paralajmëroi një vizitë të ministrit danez të Drejtësisë, Peter Hummelgaard Thomsen në Kosovë gjatë javës së ardhshme.
Ajo tha se homologu i saj danez, do të takohet edhe me përfaqësuesit opozitarë gjatë vizitës në Kosovë.
"Më lejoni të ju njoftoj se ministri i Drejtësisë i Danimarkës do të jetë në Kosovë në vizitë zyrtare më 12 dhe 13 shkurt. Qëllimi i kësaj vizite është që të takohet sërish me neve si institucione por edhe me grupet parlamentare opozitare", theksoi Haxhiu.
Ajo më pas kërkoi që votimi i kësaj marrëveshje të futet në rend dite përsëri, pas vizitës së ministrit të Drejtësisë së Mbretërisë së Danimarkës.
Kosova dhe Danimarka nënshkruan marrëveshje gjatë dhjetorit të vitit 2021 me qëllim që Danimarkës t’i jepet me qira prej një periudhe 10-vjeçare Qendra e Paraburgimit në Gjilan për t’i mbajtur aty deri në 300 të burgosur me rrezikshmëri jo të lartë të Danimarkës.
Për këtë bashkëpunim pala kosovare sipas autoriteteve vendëse do të përfitojë 210 milionë euro të cilat planifikohen të investohen në Shërbimin Korrektues të Kosovës./aa