Prishja e koalicionit qeverisës PDK-LDK në Prishtinë ka shkaktuar reagime në Prishtinë.

Krisja mes koalicionit qeverisës nisi kur kryetari i Prishtinës Përparim Rama shkarkoi fillimisht drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliun, me arsyetimin se përkundër “mbështetjes së vazhdueshme nuk ka pasur rezultate nga drejtoria në fjalë”.

Pak ditë më pas, Rama bëri të ditur edhe shkarkimin e nënkryetares së Prishtinës, Donjeta Sahatçiun, nën arsyetimin se “nuk ka bërë mjaftueshëm në fushën e digjitalizimit”.

Megjithatë, arsyet e shkarkimit po rezultojnë të jenë më të mëdha. Në reagimin pas shkarkimit, ish-nënkryetarja e Prishtinës ka thënë ndër të tjera në Facebook se “Prishtina na bashkoi, na ndau Badoci”.

Edhe kryetari i degës së PDK-së në Prishtinë, Uran Ismaili, se prishja e koalicionit po bëhet pas shfuqizimit të vendimit për shkëmbimin e pronave.

“Pasi shfuqizuam vendimin për Badoc, shkëpusim koalicionin qeverisës në Prishtinë. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës sot, PDK mundësoi kuorumin dhe votoi pro shfuqizimit të vendimit për këmbimin e dëmshëm të pronave në Badoc.” – tha Ismaili.

Zhvillimet në Komunën e Prishtinës nuk kaluan pa reagime nga zyrtarë e analistë të ndryshëm. Zëvendësministri i Financave, Avni Zogiani, tha se kjo është një taktikë e të dy partive më të vjetra në vend.

Në profilin e tij në “Facebook”, Zogiani ka shkruar se PDK-ja dhe LDK-ja gjithmonë i prishin koalicionet e tyre kah fundi i mandatit.

“Nje taktike e vjeter sa partneriteti PDK-LDK, kah fundi gjithmone bejne sikur u prishen!”, ka shkruar Zogiani.

Për prishjen e koalicionit reagoi edhe gazetari Vehbi Kajtazi. Nëpërmjet një reagimi në Facebook, Kajtazi kritikoi dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovë, duke i akuzuar se janë bërë “copa” për interesa financiare.

 

Madje, Kajtazi tha se qëndron në anën e kryeministrit Albin Kurti derisa dy partitë opozitare “janë bërë copa për interesa krejtësisht financiare.”