Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se dinari serb në Kosovë nuk mund të futet dhe të transportohet nga 1 shkurti me “thasë” në Kosovë, por vetëm përmes llogarive bankare dhe të tërhiqet në valutën euro.

Në një adresim për serbët që jetojnë në Kosovë lidhur me Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) e cila nga 1 shkurti e lejon si para të vlefshme për operim në treg vetëm euron, kryeministri Kurti tha se qarkullimi i dinarit serb në Kosovë ua mundësonte grupeve kriminale të forconin ndikimin mbi popullin dhe t'i frikësonin ata.

Kurti nëpërmjet rrjeteve sociale tha se duhet të ndalohet pastrimi i parave dhe pasurimi i paligjshëm, pasi sipas tij, kjo bënte lehtësimin e financimit të terroristëve dhe pengimin e paqes.

“Pra, Kosova nuk e ndaloi dinarin, ashtu siç nuk e ndaloi as dollarin, as funtin dhe as frangun zviceran. I vetmi ndryshim është se nga 1 shkurti, paratë nuk mund të kalojnë kufirin me thasë, siç nuk mund të bëhet në asnjë shtet demokratik, por mund të vijnë përmes llogarive bankare, të tërhequra në euro. Kjo politikë mbron qytetarët nga kërcënimet e krimit të organizuar, trafikimit me armë dhe pastrimit të parave. Deri më tani, mënyra e futjes dhe transportit të parave përtej kufijve u mundësonte grupeve kriminale të merrnin para të importuara ilegalisht, duke forcuar kështu ndikimin e tyre mbi popullin, duke frikësuar masat dhe duke inkurajuar kriminelët nga kreu i shtetit serb”, tha Kurti.

Ai theksoi se BQK i ka ofruar lehtësime për konvertimin e dinarëve në euro Bankës Popullore të Serbisë. Po ashtu BQK-ja sipas tij ka siguruar hapjen e llogarive bankare në euro për ata që ende nuk e kanë bërë këtë, pa pagesë.

“Vetëm mendoni se sa mundësi do të krijojë hapja e një llogarie të rregullt bankare për një pjesë të vogël të popullsisë që nuk e ka bërë ende këtë: fluksi i parave përmes llogarisë do të mundësojë regjistrimin e pagesave dhe disbursimeve të ligjshme, të cilat do të jenë baza eventuale e marrjes së një kredie apo fillimit të një biznesi, marrja e ndihmës nga institucionet e Kosovës, pavarësia ekonomike e grave, e cila në mënyrë të pashmangshme çon në mundësi të reja për një jetë më të mirë”, tha Kurti.

Ai potencoi se çdo muaj, më shumë se 33 mijë pjesëtarë të komunitetit serb marrin pensione nga Republika e Kosovës, 2.205 familje marrin ndihmë sociale, 4.244 familje marrin ndihmë për fëmijë dhe 1.372 familje marrin ndihmë për gratë lehona dhe nënat me fëmijë.

“Gjithçka përmes llogarisë bankare të hapur në euro. Përmes tyre mund të merret edhe ndihma për komunitetin serb, e dërguar nga qeveria e Beogradit, e pranuar në euro dhe e regjistruar përmes llogarisë bankare për hir të transparencës dhe vendosjes së ligjshmërisë. Në këtë mënyrë, shuma e parave të dërguara nga Beogradi do të përputhet saktësisht me paratë që do të merrni në Kosovë”, tha Kurti.

Nga 1 shkurti 2024 ka hyrë në fuqi Rregullorja e re e BQK-së e cila përcakton që valuta e vetme e pranuar për operim në Republikën e Kosovës, është euro. Kjo rregullore, për zbatimin e së cilës nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se do të ketë një fazë tranzicioni e cila përfshin informim dhe edukim për qytetarët dhe bizneset dhe jo menjëherë ndëshkime, ka prekur më shumë serbët e Kosovës të cilët ende e përdorin dinarin serb, të cilët po ashtu marrin pensione dhe ndihma sociale nga Serbia./aa