Shtatë persona humbën jetën dhe 14 të tjerë u plagosën si pasojë e zjarrit të hapur nga snajperët izraelitë në spitalin Nasser në qytetin Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës.
Zëdhënësi i ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Gaza, Ashraf al-Qudra, në një deklaratë tha se snajperët rrethuan spitalin dhe qëlluan mbi gjithçka që lëvizte.
“Snajperët izraelitë vranë shtatë dhe plagosën 14 nga punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe njerëzit që ishin strehuar atje, në spitalin Nasser”, tha al-Qudra.
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, në deklaratën e tij dje tha se ishte thellësisht i shqetësuar për sigurinë e pacientëve dhe stafit mjekësor për shkak të përleshjeve që u intensifikuan rreth spitalit Nasser, të cilin forcat izraelite e rrethuan në qytetin Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës.
Duke deklaruar se misioni i OBSH-së u pengua të arrinte në spitalin Nasser, Ghebreyesus përsëriti thirrjet e tij që shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe personeli të mos ishin në shënjestër dhe bëri thirrje për një armëpushim për Gazën.
Ushtria izraelite për më shumë se dy javë ka rrethuar Spitalin Nasser në Khan Younis, selinë e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze dhe Spitalin Amal të lidhur me Gjysmëhënën e Kuqe./aa