SHBA-ja është shprehur e “tronditur” për vdekjen “zemërthyese” të një vajze 6-vjeçare në Gaza dhe ka bërë thirrje për një hetim urgjent për incidentit.
“Ne jemi të tronditur nga raportet për vdekjen e 6-vjeçares Hind Rajab”, tha një zëdhënës nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së, duke folur në kushte anonimiteti.
“Shumë civilë janë vrarë në këtë konflikt. Çdo vdekje civile në këtë konflikt është veçanërisht zemërthyese”, theksoi ai.
Duke përmendur thirrjet e mëparshme të SHBA-së, ai i bëri thirrje Izraelit që të marrë “të gjitha masat e mundshme për të parandaluar dëmtimin e civilëve”, të mbrojë stafin humanitar dhe të hetojë akuzat e besueshme për shkeljet e ligjit të luftës dhe të abuzimeve të të drejtave të njeriut. Ai po ashtu u kërkoi autoriteteve izraelite që të “hetojnë këtë incident në një bazë urgjente”.
“Ne e kuptojmë se qeveria izraelite po e bën këtë. Ne presim që të shohim gjetjet sapo të jenë gati, duke përfshirë çdo masë të përshtatshme të llogaridhënies që do të merret”, tha zëdhënësi.
Shoqëria Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe tha se 6-vjeçarja Rajab ishte bllokuar në makinën e saj familjare pasi iu vu zjarri nga ushtria izraelite në qytetin Gaza dhe u gjet e vdekur pas gati dy javësh paqartësish.
Në një deklaratë të premten, grupi i ndihmës tha se ishin gjetur trupat e fëmijës dhe të dy ndihmës-mjekëve të grupit, Youssef Zeino dhe Ahmed Al-Madhoon, të cilët dolën në një mision për të shpëtuar vajzën e vogël.
Sipas Gjysmëhënës së Kuqe, 6-vjeçarja po udhëtonte në një makinë me familjen e saj, duke përfshirë kushëririn 15-vjeçar Layan Hamadeh, duke ikur nga luftimet në Gazën veriore, kur ata u përfshin nga zjarri izraelit.
Të rrethuar nga trupat e të afërmve, ata kanë kërkuar ndihmë dhe është dërguar një ambulancë e Gjysmëhënës së Kuqe.
Sipas grupit humanitar, Layan u vra teksa fliste në telefon me ekipin e Gjysmëhënës së Kuqe derisa në sfond dëgjoheshin të shtëna me armë zjarri.
Kur ekipi thirri përsëri, ishte 6-vjeçarja që u përgjigj, ndoshta e vetmja e mbijetuar në makinë. Menjëherë pas kësaj, ata humbën çdo kontakt me fëmijën./aa