“Ratifikimi i marrëveshjes, për programin e shkëmbimit të studimeve universitare në Evropën Qendrore “CEEPUS IV”, Këshilli i Ministrave, 12.1.2024″, synon të avancojë në një fazë të mëtejshme në njohjen e periudhave të studimit të kryera jashtë vendit”.

Kështu u shpreh, zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Albana Tole, e pranishme sot në mbledhjen e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ku u shqyrtua projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes në lidhje me programin e shkëmbimit të studimeve universitare në Evropën Qendrore “CEEPUS IV””, Këshilli i Ministrave, 12.1.2024”.

Sipas saj, me anë të kësaj marrëveshje synohet të nixtet bashkëpunimi rajonal në fushën e arsimit të lartë.

“Marrëveshja synon të avancojë në një fazë të mëtejshme në njohjen e periudhave të kualifikimeve të arsimit të lartë nëpërmjet universiteteve dhe nxitjen e zhvillimit të dimensionit të kurrikulës për vendet e Evropës Qendrore. Marrëveshja parashikon themelimin e një komiteti të përbashkët të ministrave, i cili përbëhet nga një përfaqësues nga palët e përfshira. Komiteti mblidhet çdo dy vite ose sipas nevojës, merr vendimet strategjike, miraton programin e punës dhe raportet e vlerësimit. Ministria e Arsimit dhe Sportit ka suportuar institucionet e arsimit të lartë që kanë shprehur dëshirën dhe vullnetin për të rritur numrat e programeve të studimit të përbashkëta dhe të dyfishta. Kjo ka ardhur dhe nga një suport financiar sidomos dy vitet e fundit, ndërsa teknikisht janë krijuar ura lidhëse me institucione të ndryshme nga vende të BE atëherë kur kërkesa ka kaluar përmes nesh, por duke vendosur edhe përvojën për mënyrën si mund të zhvillohen këto programe të përbashkëta studimi”, u shpreh Tole.

Relatorja e çështjes, Enslemvera Zake, u shpreh se kjo marrëveshje synon nxitjen e bashkëpunimin rajonal në fushën e arsimit të lartë brenda sistemit të programit të shkëmbimit të Evropës Qendrore për studimet universitare siç është referuar CEEPUS IV.

“Palët që bashkëpunojnë në këtë marrëveshje krijojnë kushtet e nevojshme për lëvizshmërinë e studentëve të nivelit Bachelor, Master dhe me këtë marrëveshje synohet të njihet periudha e studimeve jashtë vendit dhe kualifikimet që marrin”, u shpreh Zake.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë./ata