Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është takuar në Abu Dhabi me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed Bin Zayed Al Nahyan.

Kryeministri Rama ka marrë pjesë në Samitin Botëror të Qeverisjes me temë "Formimi i qeverive të së ardhmes", i cili u zhvillua në Dubai me pjesëmarrjen e liderëve nga vende të ndryshme të botës, përfaqësuesve të lartë të organizatave ndërkombëtare dhe liderëve të sektorit privat.

"I nderuar nga miqësia dhe mikpritja në shtëpi e presidentit të Emirateve të Bashkuara, Mohammed Bin Zayed Al Nahyan, me të cilin biseduam për ecurinë e projekteve të mëdha strategjike në fushën e energjisë, turizmit, infrastrukturës, sigurisë, si edhe për marrëveshjen e tregtisë së lirë që do të nënshkruajmë së shpejti", ka shkruar Rama në rrjetet sociale.

Kryeministri Rama ishte i ftuar në panelin “Ndërtimi i Kombeve: A është teknologjia zgjidhja jonë”, në një bisedë me ish-kryeministrin britanik, Tony Blair, mbi rolin e teknologjisë në adresimin e sfidave qeverisëse./aa