Një i dënuar i FETO-s është arrestuar në qytetin turk të Eskişehirit në kuadër të një operacioni që u krye njëkohësisht në 14 provinca.
Në koordinim me Drejtorinë e Përgjithshme të Inteligjencës së Sigurisë dhe Departamentin Kundër Terrorizmit, ekipe nga Drejtoria Kundër Terrorizmit morën pjesë në një operacion të organizuar nga departamentet e policisë provinciale në 14 provinca në të gjithë Türkiyen.
Në operacion u arrestua i dënuari i arratisur me inicialet H.A., i cili u dënua me 6 vjet e tre muaj burg për veprën penale të "anëtarësimit në organizatën e armatosur terroriste FETO" dhe për të cilin ishte lëshuar urdhër arresti.
H.A., për të cilin u konstatua se ishte përdorues i aplikacionit të koduar të komunikimit "ByLock" në kuadër të organizatës terroriste FETO si dhe punonte në sektorin privat, pas procedurave u transferua në burg.
Organizata terroriste FETO është përgjegjëse për tentativën e përgjakshme të grushtit të shtetit në Türkiye natën e 15 korrikut 2016 dhe është organizatë terroriste e udhëhequr nga Fetullah Gulen, me banim në SHBA, ekstradimin e të cilit Türkiye e ka kërkuar zyrtarisht nga SHBA-ja.
Për vite me radhë, anëtarët e kësaj organizate terroriste avancuan në shërbim duke kurdisur provimet dhe duke u infiltruar në institucionet e shtetit. Më pas, fillimisht në dhjetor 2013, mbështetësit e FETO-s në gjyqësorin e Türkiyes u përpoqën të ndjekin penalisht zyrtarë të shumtë të rangut të lartë në një proces gjyqësor të montuar për korrupsion të dyshuar.
Disa vite më vonë, pasoi tentativa e përgjakshme për grusht shteti nga terroristët e FETO-s, apo përpjekja për grusht shteti të kryer nga oficerët e FETO-s të infiltruar në ushtrinë turke.
Hetimet për organizatën terroriste FETO treguan se ky është një rrjet global që përbën rrezik jo vetëm për Türkiyen, por edhe për çdo vend tjetër ku ajo është aktive. Këtë e kanë theksuar disa herë zyrtarët turq. Gjatë tentativës për grusht shteti në Turqi, 253 persona humbën jetën dhe më shumë se 2.730 të tjerë u plagosën./aa