Shqipëria dhe Zvicra vijojnë bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë.

Gjatë ditës së sotme, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu nënshkroi me ambasadoren e Zvicrës, Ruth Huber projektin e tretë bashkëpunues në sektorin e shëndetësisë “Solidar – Së bashku në emergjenca shëndetësore”.

Koçiu tha se “nisma synon të rrisë aksesin në shërbimet cilësore të kujdesit emergjent për të gjithë, përfshirë edhe individët lehtësisht të cenueshëm, përmes një sistemi të konsoliduar të emergjencës shëndetësore në të gjitha nivelet”.

Ministrja Koçiu i shprehu mirënjohjen ambasadores së Zvicrës për mbështetjen që qeveria zvicerane jep për shëndetësinë në vendin tonë.

Në nëntor të vitit të kaluar Koçiu dhe Huber, nënshkruan gjithashtu dy marrëveshje për forcimin e sistemit të kujdesit shëndetësor parësor dhe aksesin në shërbime pranë vendbanimit të qytetarëve shqiptarë./ata