Mes shqetësimeve në rritje për operacionin tokësor të planifikuar të Izraelit në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës, kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka kërkuar nga Tel Avivi që t’i përmbahet ligjit ndërkombëtar.

Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, kancelari Scholz ripohoi mbështetjen e Gjermanisë për sigurinë e Izraelit, por gjithashtu theksoi se ata presin që qeveria izraelite të respektojë ligjin ndërkombëtar.

“Izraeli ka të drejtë të mbrojë vendin e tij dhe kjo është ajo që SHBA-ja, Gjermania dhe shumë të tjera po deklarojnë”, tha Scholz para një auditori të udhëheqësve politik dhe ushtarak ndërkombëtar.

“Ne gjithashtu jemi shumë të qartë për gjërat që janë të rëndësishme për t’u thënë. Pra, së pari ndihma humanitare duhet të arrijë në Gaza dhe më shumë se sa shohim sot. Së dyti, që mënyra se si trajtohet lufta të jetë sipas ligjit ndërkombëtar”, tha Scholz.

Rreth 1.5 milionë palestinezë të zhvendosur më parë nga ofensiva e Izraelit në Gaza janë strehuar në Rafah, duke kërkuar strehim nga armiqësitë që kanë shkatërruar një pjesë të gjerë të territorit palestinez. Planet e raportuara të Izraelit për një ofensivë në qytet kanë tërhequr alarmin ndërkombëtar, me shumë vende që kërkojnë përmbajtje ose anulimin e operacionit.

Scholz tha se qeveria e tij i ka përcjellë shqetësimet e saj qeverisë izraelite dhe u kujtoi atyre përgjegjësinë për t’iu përmbajtur ligjit ndërkombëtar.

“Ne po kërkojmë që ata ta bëjnë këtë dhe ne po diskutojmë vazhdimisht këtë çështje. Ka arsye të mira për ta bërë këtë dhe është diçka që është kaq e rëndësishme për të gjithë ne. Ne jemi shumë të qartë në këtë se bindja ndaj ligjit ndërkombëtar dhe rregullave është diçka që nuk është vetëm diçka që ne e bëjmë sepse ne kemi nënshkruar disa marrëveshje globale, (por) është diçka që del nga perspektiva jonë e njerëzimit, si duam ta bëjmë këtë dhe si duam ta shohim veten”, tha Scholz.

Që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, që sipas Tel Avivit vrau rreth 1.200 njerëz, ofensiva izraelite në Gaza ka vrarë mbi 28.600 palestinezë, si dhe ka shkaktuar një shkatërrim masiv dhe mungesë të gjërave të nevojshme.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës palestineze është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa