Komisioni për Çështjet Europiane shqyrtoi në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për zonat e mbrojtura”.
I ftuar ishte deputeti Fadil Nasufi si një nga nismëtarët e ndryshimeve në këtë projektligj.
Nasufi u shpreh se qëllimi i këtij projektligji është gjithashtu evidentimi i parimeve dhe politikave të reja që duhet të zbatohen në zonat e mbrojtura si një evoluiim i këtyre koncepteve të kryera nga organizmat ndërkombëtarë, rezultat i realiteteve të reja dhe i nevojës për një zhvillim të qëndrueshëm.
“Këto ndryshime vijnë në momente të një pjekurie intelektuale të shoqërisë dhe të vendosjes së rregullave të qarta dhe të përshtatshme, për të siguruar që vendi ofron një pakete turistike të larmishme por edhe të qëndrueshme dhe që komuniteteve lokale u ofrohet një mundësi e shkëlqyer zhvillimi, duke krijuar vende pune, ekonomi dhe një perspektive rajonale”, tha ai.
Po ashtu, deputeti Nasufi theksoi se, nëpërmjet këtij projektligji synohet të adresohen të gjitha problematikat e shprehura nga përfaqësues të qeverisjes vendore në letrën e tyre drejtuar Kuvendit dhe për këto arsye, lindi nevoja e propozimit të këtij projektligji.
Relatori i çështjes Etjen Xhafaj, nënvizoi se ky projektligj që po diskutohet sot nuk është parashikuar në planin kombëtar për integrimin europian sepse është një projektligj, që ka ardhur si propozim deputetësh dhe po ashtu nuk synon përafrimin me ndonjë akt të veçantë të legjislacionit me Bashkimin Europian.
“Njëkohësisht nuk kemi asnjë përplasje me direktivën, me përjashtim të disa çështjeve të cilat Shërbimi i Legjislacionit në Kuvend i ka ngritur, dhe për të cilat komisioni ynë do t’ia kalojë si sugjerime komisionit përgjegjës për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin”, tha Xhafaj.
Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi./ata