Fitorja në derbi bën me “krahë” Partizanin, më të kuqtë që triumfojnë edhe në Kupën e Shqipërisë, në aktin e parë përballë Kukësit. Në sfidën e parë të vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, “demat” hedhin një hap të rëndësishëm për më tej, duke siguruar një fitore minimale 0-1 në transfertë. Nuk ka asnjë efekt ndryshimi i trajnerit tek ekipi i Kukësit, Bledar Devolli debuton me humbje në stolin verilindorë. Partizani u imponua në lojë në “Kukësi Arena”, mbi të gjitha në pjesën e parë, duke iu afruar golit të avantazhit në disa momente.

Sfida nisi në malore për të kuqtë teksa Xhuliano Skuka u largua nga fusha e lojës me barelë që në minutën e 19-të. Pas disa tentativave, më në fund, Partizani gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 43-të, me Tedi Carën që dhuroi një asist të pastër për Gjelbrim Tapin, me këtë të fundit që e kishte të lehtë me portën e boshatisur.

Në pjesën e dytë ritmi i lojës nuk ishte i lartë, me dy ekipet që prodhuan pak raste për shënim, duke bërë që fati i këtij takimi të vendoset në ndeshjen e kthimit, ku të kuqtë kanë një marsh më shumë pas fitores 1-0 në transfertë.