Krye-avokatja e Forcës së Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Yifat Tomer-Yerushalmi, ka deklaruar se sjellja e ushtarëve izraelitë në Rripin e Gazës ka kaluar “pragun kriminal”.

“Ne kemi hasur në raste të sjelljes së papranueshme që devijojnë nga vlerat dhe protokollet e IDF-së”, tha Tomer-Yerushalmi në një letër dërguar ushtrisë, duke theksuar se disa nga këto raste kanë kaluar “pragun kriminal” dhe “po hetohen”.

Tomer-Yerushalmi midis sjelljeve kriminale të ushtarëve izraelitë në Gaza përmendi “deklarata të papërshtatshme që inkurajojnë veprime të papranueshme dhe përdorim të pajustifikueshëm operacional të forcës, përfshirë kundër të burgosurve”.

Ajo tha se ushtarët izraelitë kryen “plaçkitje, përdorim jo-operativ ose largim nga prona private, si dhe shkatërrim të pronës civile dhe shkelje të urdhrave”.

“Pas hetimeve për këto akte, prokuroria ushtarake do të vendosë se çfarë masash do të merren ndaj të dyshuarve”, tha Tomer-Yerushlami.

Që nga shpërthimi i luftës në Gaza, ushtarët izraelitë kanë postuar video që dokumentojnë akte të plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive, sulmeve ndaj të burgosurve, si dhe shkrimit të mbishkrimeve të urrejtjes në muret e shtëpive.

Ushtria izraelite nuk ka njoftuar masa ndaj ushtarëve, vetëm duke theksuar se veprimet e tyre “bien ndesh me vlerat e ushtrisë”.

Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, duke vrarë mbi 29.300 palestinezë dhe duke shkaktuar një shkatërrim masiv dhe mungesë të gjërave të nevojshme.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite në Gaza ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, vendim i përkohshëm që në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa