Edhe pse specie të ndryshme reagojnë ndryshe ndaj tingujve, rezulton se ata mund të dëgjojnë shumë më mirë sesa mendohej më parë

 

Njerëzit në përgjithësi mendojnë se gjarpërinjtë janë të shurdhër, sepse nuk mund t’i shohin veshët e tyre. Nga ana tjetër, shkencëtarët e kanë ditur për një kohë të gjatë që ata nuk i kanë.

 

Megjithatë, deri vonë mendimi i tyre ishte se shqisa e tyre e dëgjimit ishte më pak e zhvilluar në krahasim me shikimin ose shijen. Dhe, si shembull, më së shumti përmendet gjarpri i pishës, i cili reagon më shumë ndaj stimujve vizualë, transmeton Telegrafi.

 

Sot, shumica e shkencëtarëve nuk pajtohen me këtë deklaratë, ndërsa disa prej tyre sugjerojnë se dëgjimi ishte i një rëndësie vendimtare për mbijetesën e shumicës së gjarpërinjve.

Për të zgjidhur këtë dilemë, ata ekzaminuan se si 19 lloje të specieve të ndryshme reaguan ndaj tingujve midis 0 dhe 450 Hz.

 

Toksikologia Christina N. Zdenek nga Universiteti i Queensland në Australi, si autore kryesore e studimit të përmendur, shpjegon se janë përdorur tingujt që shkaktojnë dridhje nëpër tokë, si dhe dy të tjerët që mund të zbuloheshin vetëm përmes ajrit.

 

“Kjo do të thoshte se ne ishim në gjendje të testonim të dy llojet e “dëgjimit” – dëgjimin e prekshëm përmes luspave të barkut të gjarprit dhe atë që vjen përmes veshit të tyre të brendshëm”, ajo tha.

Reagime të ndryshme

 

Rezulton se specie të ndryshme reaguan ndryshe ndaj tingullit të transmetuar përmes ajrit, por ato nga e njëjta gjini reaguan në mënyrë të ngjashme. Kështu taipanët, gjarpërinjtë kafe dhe nepërkat vdekjeprurëse qëndruan kryesisht larg tij, ndërsa pitoni prirej të lëvizte drejt tij. Ky rezultat nuk është për t’u habitur nëse merret parasysh se pitoni i Ramsey ishte edhe gjarpri më i madh i testuar, i cili me 2.7 m dhe 5 kg ka më pak armiq në natyrë. Ata gjithashtu gjuajnë pretë relativisht më të mëdha, ndërsa ato më të vogla në përgjithësi ishin më shpesh objektivi i grabitqarëve të tjerë.

“Tipanët duhet të kujdesen për grabitqarët e tjerë dhe të ndjekin në mënyrë aktive prenë e tyre, kështu që shqisat e tyre duken shumë më të ndjeshme”, shpjegon Zdenek. Me fjalë të tjera, kjo nënkupton sipas saj se tingulli është një pjesë e rëndësishme e repertorit shqisor të shumicës së gjarpërinjve.

Rezultatet e hulumtimit u publikuan në PLOS ONE.