Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta, albanologun e shquar Gustav Meyer.
Meyer u lind më 25 nëntor të vitit 1850 në Gros – Stechlitz të Austrisë. Gjatë viteve 1860-1867 vijoi gjimnazin prej nga filloi të shfaqte interesimin e tij për gjuhësinë. Në vitin 1874 shpërngulet në Pragë, ku në vitin 1875 si docent privat ka mbajtur ligjërata në Universitetin e Pragës. Më 5 prill 1881 emërohet profesor i jashtëm dhe më 24 maj profesor zyrtar për sanskritishte dhe gjuhësi krahasimtare në Universitetin e Gracit.
Gustav Meyer i kushtoi vëmendje veçanërisht greqishtes së vjetër dhe shqipes, sidomos etimologjisë dhe etnografisë. Veprat e tij më të rëndësishme për gjuhën shqipe janë: Albanesische Studien I, (1882); Etimologische Wörterbuch der albanesischen Sprache, Strassburg 1891; Kurzgefasste albanesische Grammatik, Leipzig, 1888; Zum indogermanischen ë – Perfectum auf die albanesische Formenlehre, botuar në “Miscellanea di filologia e linguistica in memoriam di Napoleone Caix e Angelo Canello, Firenze, 1886; Die lateinischen Elemente im Albanesischen, botuar në: Gröbers Grundriss, I, I. Auflage (1888) etj.
Më 1897 për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore e përfundoi punën e tij si ligjërues. Ndërroi jetë në vitin 1900.
Gustav Meyer do të mbahet mend si gjuhëtari i cili provoi shkencërisht se gjuha shqipe i përkiste familjes indo-europiane. Gjatë jetës mbajti një korrespondencë të gjatë me Jeronim De Radën, figurë kyçe e Rilindjes Kombëtare./ata