Në Tiranë është mbajtur takimi i drejtuesve të ministrive të financave dhe guvernatorëve të bankave qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me fokus tregun unik të pagesave në euro (SEPA).

Në një njoftim nga Ministria e Financave e Shqipërisë thuhet se takimi në formë ministeriali u zhvillua në prag të Samitit Rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës që do të mbahet nesër në Tiranë.

Sipas njoftimit, ministri i Financave i Shqipërisë, Ervin Mete, gjatë fjalës së mbajtur në aktivitet u shpreh se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në SEPA do të sillte përfitime të konsiderueshme ekonomike për rajonin.

“Hapja e SEPA-s për anëtarët jo të BE-së, si pjesë e Planit të Ri të Rritjes së Komisionit të BE-së, përfaqëson një mundësi unike për Ballkanin Perëndimor që të ulë ndjeshëm kostot e pagesave brenda rajonit dhe me BE-në dhe në të njëjtën kohë mund të konsiderohet si një mjet monitorimi për Bashkimin Evropian (BE) për identifikimin e gatishmërisë dhe vullnetit tonë për të qenë pjesë e familjes evropiane.

Ai ka shtuar se ekonomitë e Ballkanit Perëndimor janë shumë të ndërlidhura me BE-në.

Mete është shprehur se BE-ja është partneri më i madh tregtar për Shqipërinë dhe vendet e rajonit, e po ashtu sipas tij burimi më i madh i investimeve të huaja direkte dhe flukseve të tjera financiare.

Ministri Mete shtoi se anëtarësimi i Shqipërisë dhe Ballkanit në SEPA jep qasje në sisteme moderne pagesash, më efikase dhe më të sigurta.

“Përafrimi i sistemeve tona të pagesave me ato të vendeve evropiane, do të rrisë atraktivitetin tonë si destinacion investimi. Investitorët do të kenë besim më të madh në stabilitetin dhe efikasitetin e sistemit tonë financiar", është shprehur Mete.

Sipas ministrisë, Banka Botërore po mbështet përmes asistencës teknike vendet e Ballkanit Perëndimor për të përmbushur kushtet e nevojshme për aplikimin dhe anëtarësimin eventual në Sistemin Evropian të Pagesave./aa