Në dhjetor të vitit 2021, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e paralajmëroi homologun rus, Vladimir Putin, se pushtimi i Ukrainës do të sillte “pasoja ekonomike për Rusinë, të papara ndonjëherë”. SHBA-ja dhe aleatët e saj evropianë e përmbushën këtë kërcënim me runde të njëpasnjëshme sanksionesh, prej se Rusia nisi pushtimin e fqinjit të saj, në shkurt të vitit 2022. Të fundit nga presidenti Biden u shqiptuan javën e kaluar. Ai tha se mbi 500 sanksionet e reja kanë në shënjestër makinën luftarake të Rusisë.

“Putini besonte se mund ta thyente lehtësisht vullnetin dhe vendosmërinë e popullit të lirë të Ukrainës, se mund të futej në Ukrainë dhe ta nënshtronte atë. Dy vjet më vonë, ai mbetet i gabuar. Nuk ishte në gjendje ta bënte këtë”, tha Biden. Në po atë javë, Bashkimi Evropian miratoi paketën e 13-të të sanksioneve kundër Rusisë, të cilat, siç tha, shënjestrojnë rreth 200 organizata dhe njerëz, që e ndihmojnë Kremlinin të blejë armë ose të marrë fëmijë ukrainas nga shtëpitë e tyre.

Putin, duke folur në qytetin industrial Tula, disa ditë para kësaj vale të re sanksionesh, tha se masat e Perëndimit nuk e kanë ndikuar ekonominë ruse. “Ata parashikuan rënie, dështim, kolaps. Menduan se ne do të dorëzoheshim ose do të shpërbeheshim. Por, nuk patën sukses. Ekonomia jonë po rritet, ndryshe prej ekonomisë së tyre”, tha Putin. Dhe, duket se Fondi Monetar Ndërkombëtar ra dakord me të. Ai i përmirësoi parashikimet e tij për rritjen ekonomike ruse këtë vit në 2.6 për qind, nga një vlerësim i mëparshëm prej 1.1 për qind.

Për ekonominë amerikane, ndërkaq, parashikimet janë që ajo të rritet për 2.1 për qind, kurse ekonomia britanike për 0.6 për qind. Shifrat duken befasuese kur kihet parasysh se shteti rus është përjashtuar prej shërbimeve kryesore financiare në botë dhe rreth 260 miliardë euro asete të Bankës së tij Qendrore janë ngrirë. Po ashtu, vendet perëndimore kanë mbyllur hapësirën ajrore për avionët rusë, ashtu si edhe portet për anijet ruse.

Sanksione ka edhe mbi naftën dhe gazin rus dhe mbi importet e arit dhe diamanteve nga Rusia. Qindra kompani të mëdha perëndimore ndaluan, po ashtu, të shesin dhe të prodhojnë në Rusi. Por, pavarësisht të gjithave, ekonomia ruse nuk kolapsoi – përkundrazi, duket se po ecën mirë. Taisa Markus, eksperte e tregjeve në Universitetin e Illinoisit, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se shumëkush e mbivlerësoi fuqinë e sanksioneve, sidomos në një afat të shkurtër.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme të mos pritet se sanksionet do ta ndryshojnë regjimin. Kuba është një shembull i kësaj. Afrika e Jugut është një kundër-shembull. Sanksionet kundër Rusisë kanë pasur më pak ndikim seç është shpresuar, por definitivisht mund të kenë ndikim afatgjatë”, thotë Markus. Ajo shton se një arsye përse ekonomia ruse ka qëndrueshmëri relative, është se Banka Qendrore e vendit ka rritur masivisht normat e interesit për të kontrolluar inflacionin. Kjo është kombinuar, pastaj, me kontrollet e vendosura nga Qeveria, të cilat e kanë bërë gati se të pamundur për eksportuesit rusë dhe kompanitë e huaja që operojnë në Rusi, të nxjerrin para jashtë vendit./REL