Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kujton sot dëshmorët dhe heronjtë e 20 shkurtit të vitit 1991, e cila përkon me rrëzimin e statujës së ish-diktatorit Enver Hoxha.

 

Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku shkruan se, askush nuk duhet të harrojë trimërinë e atyre që guxuan të flasin të vërtetën përballë diktaturës.

 

“I përjetshëm kujtimi dëshmorëve dhe heronjve që sakrifikuan shumë për një Shqipëri demokratike dhe perëndimore. Askush nuk mund të harrojë trimërinë e atyre që guxuan të flasin të vërtetën përballë diktaturës më të ashpër në Evropë. Përherë borxhlinj ndaj tyre! Përpjekja e njeriut kundër pushtetit është lufta e kujtesës ndaj harresës” Milan Kundera”, shkruan Tabaku.

 

Mijëra qytetarë u ngritën më 20 shkurt të vitit 1991 për të shembur simbolin e komunizmit, pak muaj pasi regjimi i vjetër që po jetonte ditët e tij të fundit kishte lejuar pluralizmin politik.

 

Rrëzimi i monumentit të Hoxhës u nxit nga greva e urisë e ndërmarrë nga disa qindra studentë për t’i hequr universitetit emrin e tij.

 

20 shkurti është caktuar si Dita e Kujtesës Kombëtare për Martirët dhe Viktimat e Regjimit Komunist.