Në kuadër të përkujtimit të 180-vjetorit të lindjes së Ismail Qemalit dhe në prag të 124-vjetorit të arratisjes së tij të bujshme nga Kostandinopoja, po sjellim për herë të parë për publikun dosjen e klasifikuar të arkivit të Perandorisë Britanike për këtë ngjarje. Pas shpalljes së pavarësisë së Indisë ky fashikull ruhet në Arkivën Kombëtare të Indisë, në fondin arkivor që i përket ministrisë së Jashtme të Perandorisë Britanike. Për ndihmesën në zbulimin e këtij fashikulli me shumë vlera, falënderojmë posaçërisht stërnipin e Ismail Qemalit, z. Darling Vlora. Dosja mban titullin: “Historia e kërcënimit të jetës së Ismail Qemal Beut nga Sulltani i Turqisë dhe arratisja e tij me një anije që valëviste flamurin anglez”.
Ngjarjet e përshkruara në këtë fashikull diplomatik zhvillohen para 124 vitesh, konkretisht në fundin e prillit dhe fillimin e majit të vitit 1900. Fashikulli përmban 8 faqe me dokumente dhe shënime të klasifikuara “Konfidenciale”. Ai hapet me letrën që ambasadori britanik në Kostandinopojë Sir Nicholas R. O’ Conor i dërgon kryeministrit dhe njëkohësisht ministrit të Jashtëm britanik Markezit të Salisbury-it (Robert Gascoyne-Cecil, 3rd Marquess of Salisbury, tre herë kryministër i Mbretërisë së Bashkuar në periudhën 1885-1902). Pjesë e dosjes janë edhe dy memorandume, që mbajnë datat 25 janar 1898 dhe 1 maj 1900, të diplomatit britanik Adam Block, i cili shërbente në ambasadën britanike në Kostandinopojë.
Në memorandumin e detajuar të hartuar nga dragomani i parë z. Adam Block, më 1 maj 1900, ndër të tjera zbërdhehet edhe komploti i përgatitur nga sulltani për vrasjen e Ismail Qemalit, me të mbërritur në Tripoli. Memorandumi nënvizon faktin që Ismail Qemalit iu mohua kërkesa për të marr me vete djalin dhe bashkëpatriotët e tij shqiptarë. Aty përshkruhen me saktësi të gjitha zhvillimet që i paraprin vendimit të Ismail Qemalit për t’u arratisur, pas vendimit të sulltanit për t’a syrgjynosur. Ndër të tjera, diplomati britanik i vë në dukje Ismail Qemalit pasojat e këtij vendimi dhe rrezikun që ai do të mbetej pa asnjë pozitë dhe pa asnjë mjet jetese. Por Ismail Qemali ishte i vendosur në qëndrimin e tij për t’u larguar nga Kostandinopoja…
Ndërkohë ambasadori Sir N. R. O’Conor në letrën e dërguar kryeministrit britanik, thekson faktin që “Ismail Qemal beu është një patriot i sinqertë dhe i zellshëm me pikëpamje të ndriçuara dhe liberale. Ai nuk është as revolucionar, as i përzier me Partinë e Xhonturqve. Ai gëzon reputacion të madh, dhe konsiderohet nga të gjithë si një njeri me karakter dhe integritet të jashtëzakonshëm. Ai ka ruajtur ndershmërinë në mes të korrupsionit; ai e ka shfrytëzuar pozicionin dhe influencën e tij si anëtar i Këshillit të Shtetit për të mbrojtur të shtypurit dhe për të ruajtur drejtësinë dhe moralin. Megjithëse vetë është një mysliman, ai ka mbrojtur në çdo rast privilegjet e popullatës së krishterë. Ai admirohet nga myslimanët, midis të cilëve ai ka një peshë dhe influencë të konsiderueshme; ai e ka shfaqur veten si një mik i sinqertë i Anglisë, duke bërë gjithçka që kishte në dorë për të mbajtur marrëdhënie miqësore midis dy vendeve…Në mbyllje ambasadori përmend faktin që nuk duhej injoruar një personazh me një influencë kaq të madhe, si edhe rëndësinë e librit të sapo shkruar nga Ismail Qemali, me titullin “Çështja e Transvalit ose Roli Civilizues i Britanisë së Madhe në Këndvështrimin Mysliman”.
Pjesë e fashikullit janë edhe katër letra të shkurtra por shumë interesante të Ismail Qemalit. Ato janë shkruar me një frëngjishte të përsosur dhe me një gjuhë të rafinuar diplomatike. Tre prej këtyre letrave janë drejtuar ambasadorit britanik në Kostandinopojë Sir N.R. O’Conor dhe një diplomatit Adam Block. Nga leximi i këtyre letrave të tërheq vëmendjen fraza:“MON crime c‘est mon patriotisme” (“Krimi IM është patriotizmi im”)… Gjithashtu, aty del në pah edhe forca e tij karakterit, që është edhe vetë thelbi i lidershipit. Sepse karakteri ndikon tek suksesi më tepër sesa të gjitha aftësitë e tjera. Kjo shprehet qartësisht tek vendosmëria e Ismail Qemalit për t’i qëndruar deri në fund vendimit që kishte marr, pavarësisht pasojave të tij: “Duke u larguar, unë mbështetem vetëm në lirinë time të veprimit dhe do të jem aq i fortë sa të mund të jetoj përmes punës sime.”.
Deri më tani ne kemi pasur në dorë dëshmi të disa protagonistëve të kësaj ngjarje, duke filluar me kujtimet e vetë Ismail Qemalit ose ato të ish-ambasadorit britanik Sir Maurice de Bunsen apo artikuj të shumtë të shtypit ndërkombëtar të kohës, që e kanë pasqyruar këtë ngjarje të rëndësishme për skenën politike otomane, evropiane dhe botërore të kohës. Ndërkohë tashmë për herë të parë, ne kemi në duar dokumentet zyrtare të ministrisë së Jashtme britanike, që e përshkruajnë ngjarjen në mënyrë më të plotë. Përveç shumë detajeve të panjohura më parë, këto dokumente konfirmojnë sërish vërtetësinë e pasqyrimit që i ka bërë kësaj ngjarje qofë vetë Ismail Qemali, qoftë Sir Maurice de Bunsen, por qoftë edhe shtypi ndërkombëtar.
Ambasada britanike në Kostandinopojë luajti një rol kyç në suksesin e arratisjes së Ismail Qemalit. Pavarësisht se siç theksohet qartazi në këto dokumente diplomatike iniciativën dhe përgjegjësinë për ndërmarrjen e këtij veprimi e pati plotësisht Ismail Qemali, i cili shmangu me mjeshtëri policinë dhe spiunët e ngarkuar me mbikëqyrjen e tij, duke kërkuar mbrojtje në bordin e luftanijes së Madhërisë së Saj. Një nga ligjet e pashkruara të pushtetit është mbajtja e nismës dhe Ismail Qemali diti që t’a zbatonte me sukses këtë aksiomë.
Më 1 maj 1900, në moshën 56-vjeçare dhe pas një karriere 40 vjeçare, e cila preku majat më të larta të shërbimit publik, Ismail Qemali, së bashku me tre djemtë, u arratis nga Perandoria Osmane. Arratisja e tij e shqetësoi shumë Portën e Lartë jo vetëm për shkak të ndikimit të madh që ai kishte si udhëheqës i kauzës kombëtare shqiptare, por edhe për shkak të staturës së tij si modeli më i mirë i shërbyesit publik në perandori. Këtu e ka zanafillën një faqe tjetër e jetës dhe e veprimtarisë së tij për çështjen shqiptare, e cila do ta shndërronte atë në simbolin e ndritur të patriotizmit shqiptar. Kjo fazë është e mbushur me shumë dallgë të mëdha dhe sakrifica personale për hir të së mirës së kombit. Në fund ajo do të rezultonte vendimtare për të ardhmen e kombit shqiptar dhe për trashëgiminë e lidershipit të Ismail Qemalit.
Pas mbërritjes në Pire, Ismail Qemali këmbeu vizita me kryetarin e Këshillit të Ministrave, z. Georgios Theotokis, kurse ditën e tretë u prit në audiencë me përzemërsi dhe dashamirësi të madhe nga Mbreti Gjergji I. Disa ditë pas mbërritjes së tij në Greqi, sulltani vijoi përpjekjet për t’i mbushur mendjen Ismail Qemalit, që të kthehej duke i ofruar postin e ambasadorit dhe ministrit.
Pas gjithë këtyre lutjeve, ai krijoi bindjen se sulltani e donte me gjithë mend që ta kishte në shërbimin e tij shtetëror. Por nuk ishte as dyshimi, as mosbesimi që e bënte Ismail Qemalin të mos tundej nga vendimi i tij. Përvoja vetjake e viteve të fundit, si dhe ato çka i kishte thënë vetë sulltani me gojën e tij, i kishin krijuar atij bindjen se njeriu mund të siguronte gjithçka prej këtij sovrani për karrierë personale e përfitime të tjera, por absolutisht asgjë për të mirën e vendit. Ismail Qemali ishte i vetëdijshëm që mund të arrinte majat e pushtetit në Perandori, mirëpo, meqë sulltani nuk i pranonte bashkë konceptin e besnikërisë dhe ndershmërisë, sa më shumë që ai të ngrihej në karrierë, aq më pak fuqi do të kishte për të përmbushur detyrën e tij dhe për të punuar për të mirën e përgjithshme.
Duke filluar që nga vitet ‘890, me mbështetjen e ambasadorit britanik të kohës në Kostandinopojë Sir Philip Currie, Ismail Qemali, botonte gazetën politike me pikëpamje liberale me titull “Rruga e Ideve” (Mecra-yı Efkar). Gazeta promovonte idetë liberale për reforma decentralizuese. Por, pas këmbënguljes së madhe të sulltanit kjo gazetë u mbyll. Në vitin 1895 dhe 1897, Ismail Qemali i shkroi sulltanit dy memorandume për reformat në perandori. Memorandumi i vitit 1897, ishte në formën e një letre të hapur. Ai do të shënonte thirrjen e tij të fundit ndaj sulltanit për të ndërmarr reforma dhe për të rikthyer regjimin konstitucional.
Ndër të tjera Ismail Qemali i shkruan sulltanit një këshillë universale udhëheqje: “Paardhësit e mëdhenj të madhërisë suaj gjithmonë vinin në poste drejtuese burrat më të zotë të kohës, që ishin pajisur me kulturë të gjerë e me aftësi të mëdha natyrore. Për të zbuluar një të vërtetë të çfarëdoshme, për të përcaktuar vlerat dhe aftësitë e secilit dhe madje për të zhdukur tendencat individualiste që lindnin nga pozita e lartë drejtuese, ata përdornin metodën e ballafaqimit të mendimeve e të opinioneve të njerëzve. Çdo veprim e çdo masë me karakter shtetëror që ndërmerrnin e përputhnin me kërkesat e kohës…Sot si tregues i meritave të njerëzve është injoranca, o poshtërsia. Prandaj zotësitë mendore dhe aftësitë natyrore as që merren parasysh.”. Por duket se kjo është një sëmundje e përbashkët e mendjeve të vogla e tinzare, të cilat preferojnë afër vetes më tepër se gjithçka tjetër mediokritetin…